Një burrë e mbante armën në shekuj- për një ditë. Një familje e ushqente qenin- për një natë. Një qytet e instalon dedektorin nuklear -për një sekondë…, që mund të mos vijë kurrë. Një komb modern ndërton një opozitë (e ndërton, e ushqen, e nderon, e përkëdhel dhe e shpreson), për çfarë?… Për një ditë!
Dita emergjente për opozitën, (për një komb në rrugë të mbarë), mos ardhtë kurrë! Emergjencë për opozitën, kombi ynë që është i etur për demokraci dhe balanca pushteti- ka ndjerë si atëherë kur u themelua opozita (në vitin 1990), si edhe tani. Tani, pikërisht sot dhe mbrëmë dhe nesër në mëngjes (por jo më vonë), komponentëve të këtij kombi u duhet të ngrihen mbi krimin. Kombi ynë nuk është akuzuar kurrë si “kriminal”, por kësaj here më duket se po e marrim këtë emër. Jemi akuzuar si “të pa fe” dhe na bën nder- sepse jemi një komb kaq i bukur në raportet mes besimeve. Na kanë akuzuar si zhurmëmëdhenj… Në metrotë e Europës nuk dëgjohej zë tjetër veçse në gjuhën shqipe… Na kanë akuzuar (sigurisht pa na e njohur historinë) se nuk jemi shtetformues… Si “komb kriminal” po na emërtojnë vetëm kësaj here.
Për këtë ditë do të ishte opozita. Përderisa nuk është sot, pse na duhet më!?.
Opozita kishte për të kryer akte brilante qytetarie, kishte për të zbuluar krimin deri në rrënjë, të largonte kriminelët dhe qeverinë nga postet e shtetit…, dhe atëherë kushdo në botë do të ishte gati të “harronte” se kohët e fundit e kishte quajtur kombin shqiptar “kriminal”. Siç harroi se Austria është djepi i Hitlerit, se Gjermania krijoi hitlerizmin, se New Yorku krijoji familjet “e shenjta” mafioze,… edhe se Zimbabwe krijoi një president monstër si Mugabe… Mirëpo, kombit nuk i doli për zot një nga krijesat e veta, opozita. Opozita as është në protestë, as është në rrugë, as është në shtëpi, as është në Parlament. Opozita ndodhet rrëzë mureve të selisë qeveritare ku i kanë thënë se duhet të presë gjithë natën pasi nesër vjen kujdestari dhe sjell “copat” që mbetën në darkën e qeverisë.
Opozita nuk ka pse të jetë më gjatë.
Nesër, shteti ka rënë në duar të kriminelëve dhe pas kësaj nuk mund të presësh rregull human demokratik. Tetë komisarë policie dhe vetë ministri i Brendshëm u kapën si anëtarë të bandave kriminale. Asnjë prej tyre nuk ndodhet nën arrest, edhe pse prokuoria ka urdhëruar ndalimin. Janë krijuar dy “shtete”: shteti legal i votuar nga populli dhe shteti “ilegal” i paguar nga mafia. Deri sonte në mbrëmje mund të deklarojmë se shteti “ilegal” ka fituar mbi shtetin e votuar. Nesër në mëngjes mund të gjejmë një pusullë te dera që do të na thotë: ‘Zoti qytetar, viheni në shërbimin tonë si shtet i emëruar; shteti që ishte nuk është më”. Nuk mund të jetë larg kjo ditë. Atëherë vjen pyetja: Vallë opozita, pjesë e cilit shtet është? E shtetit legal? Deri sonte nuk ka prova. Opozita nuk ka më besimin e popullit, opozita akoma nuk i ka kërkuar popullit që të dalë në rrugë dhe të mbrojë pushtetin që votoi. Atëherë opozita del se është pjesë e pushteit ilegal…
E pse na duhet, atëherë?
Opozita nuk ka nevojë për kolonat e shtetit; atëherë pse shteti- komb paska nevojë për opozitën? Me ngjarjet e fundit, kur policia e shtetit- instrumenti i zbatimit të ligjit dhe i dhunës kundër krimit, u mposht para “policisë” së drogës dhe krimit, kjo do të thotë se ka rënë shteti. Ka rënë edhe Opozita, edhe sikur të mos ishte e rënë. Sonte, dhe deri nesër, mund të kishte rol për Opozitën; nëse do të ishte e zonja…, por nuk ka akoma anjë shenjë jete se deri në mëngjes opozita mund të ketë në mendje që të mbajë anën e shtetit.
Eshtë vonë. Jashtë ka qetësi, asgjë nuk pipëtin. Nga dhoma e televizionit më vijnë zëra “analistësh” që rreken të dëshmojnë si dështoi policia. Kryeministrin po e dëgjoj që thotë se “nuk më pret në besë Tahiri”- ministri që u kap në bandat kriminale Shqipëri- Itali. Sado që të përpiqesh, as jashtë në rrugë, as në “qymeze”, ku jepen lajme, opozita nuk ekziston.
Mbas sodit nuk na duhet më.