Shkëlqim Çela u shpall fitues mes shtatë pretendentëve për Çmimin letrar të prozës shqipe qe akordohet nga Fondacioni Mapo. Ne fazen finale konkurruan autorë si Bardhyl Londo, Vera Bekteshi e Mustafa Nano. Çela fitoi me librin me novela ‘Embriologji’ . Juria e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë e gjykuan prozën e Shkëlqim Çelës si më të mirën nga prurjet duke i dhënë Çmimin që mban emrin e shkrimtarit më të njohur të letrave shqipe.
Autori, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fiton kështu së bashku me çmimin të drejtën e botimit të veprës nga Botimet Mapo si edhe shpërblimin prej 10 mijë eurosh, që Fondacioni Mapo si organizator i këtij konkursi kanë vendosur për fituesin.
Interesi për emrin e këtij shkrimtari pak të njohur në Shqipëri është i natyrshëm dhe në fakt dhe historia e tij është e veçantë. Shkëlqim Çela vjen nga fusha e shkencave komjuterike, ndërsa prej vitesh shkruan në poezi dhe prozë. Ai ka botuar disa libra si “Mëmëdhembje”, “Tuneli i dhëndurëve”, “Ishulli Ruzvelt”, “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore”, “Kulmak” vëllimin me poezi “Nga ngjyra e pluhurit dukej si hëna”. Këtë edicion, juria e përbërë nga; Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela, e ka vlerësuar si prozën më të mirë shqipe për këtë vit. Me këtë çmim juria ka vendosur të nxisë letërsinë e të rinjve.
Çmimi Kadare u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës. Ky aktivitet, i cili zhvillohet për të dytin vit radhazi në javën e fundit të muajit maj synon të kthehet në një traditë të mirë ku diskutohen tema, fenomene dhe problematika të letërsisë shqipe. Në fokusin e organizatorëve është nxitja e prozës së mirë shqipe. Në këtë edicion të dytë të Ditëve të Letërsisë fokusi ishte në letërsinë e Kadaresë, në kuadër edhe të 80 vjetorit të shkrimtarit.