Viti 2018 sapo hyri dhe pushimet e dimrit mund të jenë drejt fundit, por nuk është herët për të menduar për ato të verës, apo të pranverës. Sidomos nëse doni t’i kaloni ato jashtë, që të mos ju bjerë rëndë fatura e biletave në fund.
Me linjat ajrore që sa vijnë e shtohen, alternativat për fluturime direkte janë rritur, ndonëse biletat nuk janë aq të lira sa fqinjët. Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, aktualisht janë 16 linja që ofrojnë fluturime nga Rinasi: Adria Airways, Alitalia, Austrian Airlines, British Airways, Tuifly, Lufthansa, Aegean Airlines, Turkish Airlines, Pegasus Airlines, Blue Panorama Airlines, Air Serbia, Albawings, Mistral Air, Transavia, Volotea.
Janë 29 destinacione ku mund të shkoni direkt, nga të cilat 17 janë drejt qyteteve të Italisë, ku është dhe trafiku më i lartë, për shkak të numrit të madh të emigrantëve që punojnë aty.
Por, sa kushtojnë nëse prenotoni në fillim të janarit për të udhëtuar në verë. “Monitor” ka bërë një kërkim mbi çmimet, që ofrojnë linjat e ndryshme ajrore në javën e parë të korrikut, për nisje rreth datës 2 korrik dhe kthim rreth datës 7, por dhe për udhëtime më të hershme të pranverës, të cilat janë më të lira, pasi nuk është piku i sezonit.
Italia, Roma më e shtrenjta
Drejt Italisë janë tre disa arjore, AlItalia, Blue Panorama, Fly Ernest, Alba Wings. Roma rezulton destinacioni më i shtrenjtë, ndërsa drejt Milanos mund të gjeni dhe bileta-vajtje ardhje me 68 euro, jo në sezonin e pikut. Periudha më e lirë e vitit është gjysma e janarit dhe shkurtit, ndërsa çmimet fillojnë e shtrenjtohen lehtë nga marsi, për të arritur pikun në gjysmën e dytë të gushtit.
Në Romë, për nisje më datë 2 korrik dhe kthim në datë 7, bileta vajtje-ardhje me AlItalia kushton minimumi 180 euro. Edhe në javën e parë të gushti çmimet janë të njëjta. Me Blue Panorama për të njëjtat data, bileta kushton minimalisht 161 euro.
Në Milano, në po të njëjtat data, bileta vajtje -ardhje me Blue Panorama kushton 161 euro (nga 100 euro që mund ta gjeni me të njëjtën linjë deri në muajin maj).
Ndërsa në gjysmën e dytë të gushtit kërcen në mbi 200 euro. Me Fly Ernest, në gjysmën e parë të janarit dhe në shkurt, mund të gjeni bileta vajtje -ardhje drejt Milanos me 68 euro. Edhe në korrik, nëse prenoton sot, biletat me Fly Ernest janë 116 euro.
Edhe në Venecia, po me Fly Ernest mund të shkoni me 68 euro vajtje-ardhje në shkurt dhe 116 euro në korrik dhe gjysmën e parë të gushtit.
Me Alba Wings, Venecia në korrik kushton 150-160 euro dhe më herët gjatë vitit rreth 100-110 euro.
Në shtetet e tjera
Drejt Vienës, me Austrian Airlines, për datat 2 dhe 7 korrik, bileta kushton minimumi 190 euro. Edhe në maj janë të njëjtat çmime.
Në Paris me Transavia, nisja në 3 korrik dhe kthimi në datë 7, bileta arrin në 198 euro, ndërsa në gusht është mbi 200 euro. Parisin më lirë mund ta vizitoni në javën e parë të majit, me 148 euro.
Në Amsterdam, po me Transavia, mund të shkoni më lirë, vajtja në 2 korrik dhe kthimi në datë 6 kushton 110 euro. Më pas, në gjysmën e dytë të korrikut dhe në gusht, Amsterdami shtrenjtohet në mbi 150 euro. Ndërsa më herët, në qershor, Amsterdamin mund ta vizitoni edhe me më pak se 100 euro (psh për nisje me datë 4 qershor dhe kthim me datë 8, bileta është 85 euro vajtje-ardhje).
Në Londër, me British Airways për javën e parë të korrikut, udhëtimi kushton 218 euro.
Po në Londër, Wizz Air fillon fluturimet nga Tirana nga mesi i prillit, ku për vatjet në 19 prill (dita e parë) dhe kthim në 24 prill ose 26 prill, bileta kushton në total 90 euro. Më pas çmimet shtrenjtohen në 160 euro për datat 3 dhe 7 korrik dhe 265 euro për datat 3 dhe 9 gusht.
Budapesti është kthyer në një destinacion të preferuar turistik pas vendosjes së linjës direkte. Me Wizz Air, Budapesti nga Tirana për datat 3 dhe 7 korrik kushton 120 euro. Në maj, Budapestin e vizitoni shumë më lirë, për 48 euro (në datat 3 dhe 8 maj). Ndërkohë në faqen e vet, Wizz Air njofton se nga Podgorica në Budapest, në një drejtim, gjen bileta edhe me 9.99 euro.
Alternativat përmes rajonit
Nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe sidomos nga Maqedonia, alternativat janë më të shumta dhe më të lira. Wizz Air operon nga Shkupi drejt 26 destinacioneve në Europë dhe nëse prenotoni herët mund të gjeni bileta edhe më lirë se 100 euro për në Barcelonë, Gjermani, Stokholm, Londër, Romë etj.
Por kini parasysh që udhëtimi deri në aeroportin e Shkupit zgjat rreth 5 orë dhe nëse shkon me makinë shpenzoni benzinë dhe kartonin jeshil 40 euro. Për më tepër që kthimet janë përgjithësisht pasdite dhe ose do ju duhet të udhëtoni natën, ose të merrni një hotel, çka bën që ndonjëherë kursimi nga bileta të shkojë njësoj sa shpenzimet që bëni për të shkuar në aeroport (më me leverdi janë udhëtimet në grup, ku ndahen shpenzimet).
6 këshilla të arta si të kurseni për biletat e linjës ajrore
Të pëlqen të udhëtosh, por çmimi i biletës së avionit është shpesh shumë i lartë? Faqja e internetit jetcost.it, e cila bën krahasime në kohë reale të biletave jep 6 rregulla të arta:
1. Blije biletën më herët
Bliji fluturimet e tua më herët për të përfituar nga çmimet më të mira. Duke i blerë biletat e fluturimeve para një kohe të caktuar, je i sigurt se do të kursesh në fluturimin tënd.
2. Zgjidh fluturimin e minutës së fundit
Një tjetër mundësi është kjo e blerjes së biletave në minutën e fundit, në këtë mënyrë është më e lehtë të gjesh fluturime me ulje. Nëse mund të dish mirë destinacionin e udhëtimit dhe datën e nisjes dhe të ardhjes, të gjesh çmime të mira është shumë e lehtë.
3. Zgjidh me kujdes datat e udhëtimit.
Sezoni është një kriter kryesor. Faktorë të ndryshëm duhen marrë në konsideratë: kur do të fillosh, a janë ditë festash, fundjavë, si do të jetë klima kur do të arrish, orari i fillimit të udhëtimit etj.
4. Krahaso çmimet.
Gjej një çmim dhe krahasoje në pak sekonda me çmimin e biletave ajrore të njëqind agjencive udhëtimi dhe kompanive ajrore të tjera. Motorri i kërkimit propozon ofertat më të mira të disponueshme në treg, në të cilat ofertat nga kompanitë loë cost si easyJet, Ryanair, Vueling e Transavia.
5. Përpunoje kërkesën para se ta blesh.
Çmimet e treguara mund të ndryshojnë gjatë kohës. Duke kontrolluar çmimet e shumë udhëtimeve, duke ndryshuar ditët e nisjes dhe të arritjes mund të blesh biletën e uhhëtimit në mënyra më të favorshme, në ditë në të cilat pagesat mund të jenë më të ulëta. Ne ju këshillojmë gjithmonë të bëni një kërkesë të dytë. Në çdo mënyrë, është gjithmonë më e lehtë të blesh një biletë vajtje ardhje në vend të dy udhëtimeve të ndara.
6. Të evitosh shpenzimet e padobishme.
Para se të nënshkruash një sigurim udhëtimi që do të përmbajë një kosto shtesë të çmimit total të udhëtimit, sigurohu që sigurimi ose karta e kreditit nuk përfshijnë një kosto më vete.
Për t’u kërkuar për alternativat më të lira, kliko këtu:
http://www.monitor.al/cmimet-e-biletave-nga-rinasi-si-te-udhetoni-lire-ne-2018-n/