Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në kryeministri një tjetër ceremoni për hapjen e negociatave me BE-në, duke ngritur në mënyrë simbolike flamujt e Shqipërisë me BE-në. Në këtë ceremoni, të organizuar nga kryeministria, ishin të ftuar edhe deputetë, ambasadorë dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Por ajo që ra në sy ishte fakti që i pranishëm nuk ishte drejtuesi i SPAK, Arben Kraja. Mësohet se stafi i kryeministrisë nuk e kishte ftuar Krajën të ishte i pranishëm.
Kjo mungesë e një prej njerëzve kyç të reformës në Drejtësi në vend, vjen në fakt pak kohë pasi Rama ka ndërmarrë një sulm public ndaj SPAK-ut.
Në 7 maj teksa po fliste në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama tha se SPAK nuk po vepron ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të nxjerrë jashtë sistemit nga Vettingu, e veçanërisht ndaj ish kryeministrit Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.