Komisioni i Venecias rrëzon mazhorancën socialiste në konfliktin e krijuar me Gjykatën Kushtetuese për “çështjen Xhaçka”.
Në një interpretim të rastit të depozituar në Venecia nga Kuvendi me iniciativën e PS, komisioni shprehet se “përputhshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës” dhe “kjo përputhshmëri nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës”.
Më tej, Venecia shprehet se “kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese të kompetencave vendimmarrëse të Kuvendit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim në përputhje me vendimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo për mundësinë e referimit të çështjes sërish në Gjykatë”.
Opinioni i Venecias i jep fund debatit dhe konfirmon vullnetin e munguar të mazhorancës për të vënë drejtësi për ish-ministren Xhaçka.
Socialistët në mbrojtje të Xhaçkës
Që nga nisja e shqyrtimit të kësaj çështje në Kuvend, në qershor 2022, mazhoranca doli në mbrojtje të Xhaçkës, duke zvarritur procesin dhe duke rrëzuar kërkesën e opozitës në Kuvend në nëntor 2022, që kërkoi heqjen e mandatit të deputetit për ish-ministren pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall “investitor strategjik” nga qeveria.
Në këto kushte, opozita u ankua në Gjykatën Kushtetuese, që në janar 2023 vendosi të shfuqizojë vendimin e Kuvendit si antikushtetues dhe i kërkoi atij që të vendoste për dërgimin pranë kësaj gjykate të mocionit te 1/10 së deputetëve.
Më shumë se 1 vit pas këtij vendimi, mazhoranca votoi sërish kundër.
Kryeministri Edi Rama u shpreh publikisht se “gjykata kushtetuese nuk e ka as detyrë as të drejtë e as mundësi që ti thotë parlamentit sesi duhet të veprojë për një rast apo një tjetër”.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj është shprehur se “të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”.
Me vendimin e vitit 2023, Kushtetuesja vlerësoi se në çdo rast, kur paraqitet një mocion nga 1/10 e deputetëve apo Kryetari i Kuvendit, Kuvendi është i detyruar t’ia dërgojë çështjen Gjykatës Kushtetuese.
Pasi e zvarritën vendimmarrjen për më shumë se një vit, në Prill, PS i bëri një interpretim të sajin vendimit të Kushtetueses, duke pretenduar se ky vendim nuk mund ta detyrojë deputetin si të votojë dhe me forcën e kartonit rrëzoi vendimin e gjykatës.
Opozita e ridërgoi çështjen në Kushtetuese duke kërkuar deklarimin e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe dhënien një interpretimi përfundimtar të zgjidhjes së konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe pakicës parlamentare të 1/10 e deputetëve.
Gjykata e mori në shqyrtim këtë padi dhe pritej që vendimi të shpallej së shpejti, por socialistët e çuan çështjen në Komisionin e Venecias.
Gjatë seancës shqyrtuese më 21 qershor, anëtarët e gjykatës ngritën shumë pyetje për përfaqësuesen ligjore të Kuvendit për të kuptuar se në ç’rrethana ishte marrë vendimi nga Kuvendi dhe nëse kishin të drejtë organet e këtij institucioni që të vlerësonin vendimet e kësaj gjykate.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që ndalon deputetët të përfitojnë nga të mirat publike.
Në këtë rast, mazhoranca ka përdorur afate dhe procedura parlamentare për të zvarritur në kohë shqyrtimin e saj në organet parlamentare dhe me vendim politik ka mbrojtur deputeten e saj duke rrëzuar 3 herë kërkesën e opozitës për ta dërguar këtë çështje për interpretim në Kushtetuese.
Konkluzioni i Venecias
Në përfundim të shqyrtimit të çështjen, Komisioni i Venecias evidentoi se mazhoranca socialiste duhet të votonte sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke iu kaluar gjykatës kërkesën për shqyrtimin e përputhmërise së mandatit të Xhaçkës.
“Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese të kompetencave vendimmarrëse të Kuvendit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim në përputhje me vendimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo për mundësinë e referimit të çështjes sërish në Gjykatë. Kuvendi nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencave të tij”, sqaron Venecia.
Në konkluzionet për çështjen, Komisioni i Venecias shprehet:
Komisioni i Venecias është ftuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të japë opinionin e tij “mbi marrëdhënien midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë me mandatin e një Deputeti (MP)”, duke trajtuar kështu zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi.
Ky opinion nuk ka për qëllim të marrë një qëndrim në lidhje me vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, dhe as nuk është kompetencë e Komisionit interpretimi i Kushtetutës së Shqipërisë.
Nocioni i papajtueshmërisë kuptohet si pengesë për një deputet që të ushtrojë mandatin e tij ose të saj, për shkak se mban një pozicion (privat ose publik) që konsiderohet i papajtueshëm dhe në konflikt me detyrën e deputetit. Ky koncept përqendrohet te arsyet për heqjen e mandatit nëpërmjet zbatimit të ndalimit për të mbajtur një post të papajtueshëm. Një arsye e tillë mund të jetë ekzistenca e një konflikti interesi midis funksioneve.
Pyetjet në lidhje me mandatin e një deputeti (pyetjet 1 dhe 3) kuptohen si vijon: “Cilat standarde rregullojnë mandatin e një deputeti në një demokraci përfaqësuese parlamentare dhe në cilat rrethana një deputet mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar?” Përfundimet janë këto: Përputhshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Kjo përputhshmëri nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese të kompetencave vendimmarrëse të Kuvendit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim në përputhje me vendimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo për mundësinë e referimit të çështjes sërish në Gjykatë. Kuvendi nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencave të tij.
Për pyetjet në lidhje me standardet për dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore (pyetjet 2 dhe 4, pjesa 1), mund të përfundohet si vijon: Në përgjithësi, parimi i ndarjes së pushteteve të shtetit imponon që disa poste nuk mund të mbahen nga një person në të njëjtën kohë, duke garantuar kështu integritetin dhe funksionimin e duhur të secilit pushtet (legjislativ, ekzekutiv ose gjyqësor). Në disa raste, standardet ndërkombëtare parashikojnë një papajtueshmëri absolute (p.sh., të qenit deputet ndërkohë që je gjyqtar). Në raste të tjera, lejohen përjashtime (p.sh., një deputet që është pjesë e Qeverisë). Zakonisht, kur një person mban dy funksione të papajtueshme, kjo situatë mund të rregullohet nga vetë personi – zakonisht duke zgjedhur njërin prej posteve dhe duke hequr dorë nga tjetri. Megjithatë, në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi humbet mandatin e tij ose të saj. Sa i përket procedurës për të vendosur mbi papajtueshmërinë, nuk ka standarde të qarta.
Përsa i përket praktikave shtetërore mbi dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore (pyetjet 2 dhe 4, pjesa 2), Komisioni i Venecias ka mbledhur informacion mbi dispozitat kushtetuese mbi papajtueshmërinë në 12 nga shtetet anëtare dhe në Bashkimin Evropian (BE). Gjetjet tregojnë se nuk ka një qasje uniforme mbi çështjen e papajtueshmërive, dhe praktikat e shteteve ndryshojnë në varësi të faktorëve të ndryshëm, si struktura e qeverisë, numri i dhomave dhe parametra të tjerë specifikë të vendeve. Pyetjet e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me praktikën shtetërore mund të trajtohen me kujdes si vijon: Bazuar në materialet e shqyrtuara nga Komisioni i Venecias për këtë Opinion, përcaktimi i papajtueshmërisë me mandatin e një deputeti – në nivel kushtetues – në shumicën e rasteve bëhet bazuar në postet e tjera që mban deputeti. Në disa vende, aktivitetet (si ato me përfitime financiare) të deputetit mund të konsiderohen të papajtueshme me postin e deputetit (edhe pse kjo nuk rregullohet gjithmonë në nivel kushtetues). Në shumicën e shteteve, subjektet që kanë të drejtë të referojnë një çështje në një organ gjyqësor janë organe politike ose persona pjesë e një organi politik; dhe zakonisht shqyrtimi bëhet nga një Gjykatë Kushtetuese ose një gjykatë e zakonshme. Vetëm në disa vende, çështja e papajtueshmërisë vendoset nga organi legjislativ.
Pyetja për Gjykatën Kushtetuese dhe krijimin e normave të reja kushtetuese (pyetja 5) kuptohet si vijon: Në parim, a mund të krijojë një Gjykatë Kushtetuese norma të reja? Mund të përfundohet se fuqia për të krijuar norma të reja kushtetuese i takon pushtetit legjislativ, ndërsa fuqia për të interpretuar në mënyrë autoritative një normë kushtetuese ekzistuese i takon Gjykatës Kushtetuese, e cila merr parasysh parimet e përgjithshme kushtetuese, si qasja në drejtësi, kur interpreton dispozita të veçanta kushtetuese. Megjithatë, kufiri i saktë midis interpretimit të një norme kushtetuese ekzistuese dhe krijimit të një norme të re kushtetuese nuk është i qartë.