Të pranishëm për palën shqiptare Peleshi e Gjiknuri
Eshtë zhvilluar sot në Selanik ceremonia zyrtare e fillimit të punimeve të gazsjellësit Trans Adriatik Papeline, TAP. Shqipëria, pas ftesës së kryeministrit grek Tsipras, është përfaqësuar në ceremoni nga zv. kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i energjisë Gjiknuri. Peleshi në fjalën e tij ka theksuar rëndësinë që ka gazsjellësi TAP për rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
“TAP është një projekt madhor jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin tonë, por për të ardhmen e vet Europës. Sigurimi i energjisë me çmime të përballueshme është një nga sfidat më të mëdha që BE-ja aktualisht përballet. “ tha Peleshi.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në afërsi të Kipoit në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP). Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut. Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut. TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik. Gjurma e TAP-it përmes Detit Adriatik do jetë rreth 105 km e gjatë dhe do të shtrihet në shtratin e detit nga bregu shqiptar deri në atë italian. Shqipëria po përgatitet që në momentin kur të mbërrijë gazi përmes TAP, vendi të ketë gati infrastrukturën e shpërndarjes për të shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi. Me asistencë ndërkombëtare po hartohen dokumentet e rëndësishme të Masterplanit të Gazit dhe Studimit të Fizibilitetit, të cilat do të jenë baza për procesin e gazifikimit të vendit.