Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Orikum të Vlorës për të treguar strategjinë e qeverisë në lidhje me sezonin turistik 2018. “Synojmë Shqipërinë një destinacion kryesor të ofertës mesdhetare për tregjeve ndërkombëtare të turizmit,” thotë Rama.
Ai tregoi disa nga planet e qeverisë për rritjen e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës së jugut të vendit.
“Potencialet e turizmit nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Shqipëria çdo vit e më shumë është një destinacion që zbulohet prej shumë njerëzve në botë si një vend i dëshiruar. Është plotësisht e mundur sepse ne shikojmë që fluksi i kërkesave për të investuar në turizëm është në një rritje të ndjeshme. Vlora është një nga polet më të rëndësishme të turizmit. Vlora është ende në një proces transformimi në vazhdim.
Së shpejti vazhdon projekti i Lungomares në krahun jugor, qëndra historike ka një projekt të veçantë rijetëzimi, si vlerë e shtuar për paketën turistike të Vlorës si destinacion dhe brenda gjithë zonës turistike, ka plot gjëra që do të ndodhin duke përfshirë edhe rrjetin inxhinierik e ujësjellësit. Lajmi i mirë është që pas padurimit në ndërtimin e Lungomares nuk ka më ankesa për bllokimet e tjera, sidomos për atë të Bulevardit, tregon që është fituar besimi i qytetarëve.
Do rregullohet aksi nga Radhima në Orikum, se është i niveli tjetër nga ai që duam ne. Rruga e re Orikum-LLogara bashkë me tunelin e Llogarasë që është domosdoshmëri strategjike për të arritur shpejt në pjesën e jugut.
Po negociojmë kontratën për aeroportin e Vlorës, që besoj se do të nisë nga puna sëshpejti një investim madhor. Do e realizojmë aeroportin në një kohë më të shkurtër se ç’mendohet dhe ta kemi të hapur deri pak përpara vitit 2020,” tha Rama.