Boksieri shqiptar Senad Gashi, ish-kampioni i botës dhe i Evropës në peshën e rëndë është përballur me një grabitës në Gjermani. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pak ditë më parë. Mediat gjermane shkruajnë se boksieri shqiptar ishte duke dalë nga një shisha bar në Hamburg kur pa se një person po përpiqej t’i vidhte makinën e tij të llojit ‘Mercedes Benz’, tip ‘Brabus’.
Por hajduti nuk e dinte se mjeti luksoz i përkiste një boksieri dhe përballja me të do të ishte fundi i tij. Boksieri 32-vjeçar, iu afrua hajdutit, e goditi me grushte e shkelma dhe e rrëzoi në tokë atë.
Kalimtarët lajmëruan policinë dhe katër makina patrullimi shkuan në vendngjarje. Zyrtarët kërkuan një ambulancë për hajdutin por ai nuk pranoi të merrte ndihmë mjekësore. Ai është arrestuar, por edhe boksieri shqiptar. Senad Gashi nuk ka preferuar të prononcohet për mediat në lidhje me sulmin në fjalë.
Nga ana tjetër, ai po përgatitet për ndeshjen e radhës të boksit në palestrën Universum. Më 30 korrik, ylli me 1 milion ndjekës në Instagram do të hyjë në ring në Tetovë, Maqedoni e Veriut.