Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Blushi dhe nje “dejavu” e “katarsisit” te Nanos brenda PS

Nga Media 0

 

Nga: Mero Baze

Kundërshtari kryesor i Edi Ramës në Partinë Socialiste, Ben Blushi, po përpiqet ta kthejë betejën e tij për të drejtën e kandidimit për kryetar partie, në një betejë kundër kryeministrit të Partisë Socialiste. Në një përpjekje të ngjashme me atë të Fatos Nanos 14 vjet më parë, Ben Blushi duket se po e orienton betejën e vet, drejt një beteje për “katarsis” në Partinë Socialiste, duke tentuar të marrë votën publike të një pakice të artë deputetësh, kundër mandatit të Edi Ramës si kryeministër. Kjo është dhe beteja e parë, më e rëndësishme kundër Edi Ramës si kryeministër dhe ndoshta dhe beteja e parë më e fortë, që vet Blushi po bën në jetën e tij politike.

Sot ai ka arritur një sukses të parë, pasi ka marrë mbështetjen e një deputeteje të Shkodrës, Prof. Mimoza Hafizit, dhe sipas deklaratave të tij, pret dhe vota të tjera të deklaruara të deputetëve të tjerë.

Në këto kushte, lëvizja e Blushit merr vlera reale politike, pasi është duke testuar nëse Rama ka një shumicë solide për kryeministër apo jo, meqë posti i kryeministrit dhe votbesimi popullor që ka si i tillë, është arsyetim që ai të jetë në krye të partisë, vetëm me një votbesim formal në Kongres, në rastin e ndryshimit statutor.

Pas Fatos Nanos, në vitin 2001- 2002, kjo është hera e dytë që në Partinë Socialiste po tentohet të përdoren mandatet e deputetëve, si mekanizëm për të diktuar rregulla loje brenda partisë.

Pavarësisht sa do t’ia dalë të bëjë një pakicë bllokuese për Ramën si kryeministër, është e qartë se Blushi do bëjë një betejë politike kundër përfoljes për korrupsion, duke vënë në qendër të sulmeve Edi Ramën. Për këtë, ai po kërkon paraprakisht të mos ketë penalizme për deputetët që do të dalin krah tij.

Që “katarsisi” i Blushit të ketë sukses për Blushin, natyrisht atij i duhet të bëjë me vete sa më shumë numra deputetësh, por që ky proces të mbetet qoftë dhe si betejë e vlefshme brenda Partisë Socialiste, do të duhet që Blushi të tregojë aftësitë e tij për të qenë një lider të cilit mund t’i besohet.

Së pari, deputetët që duhet të mbështesin Blushin në këtë proces, nuk duhet të nisen nga pozita garantuese prej Ramës, por nga motive të qarta politike kundër Ramës, duke i besuar Blushit. Ndryshe, ata do të jenë një garniturë pa personalitet, nga ata që duan të bëjnë betejë me “dietat” e Ramës.

Në këtë pike, thirrja e Blushit është e gabuar dhe demotivuese. Ai duhet t’i bëjë për vete deputetët, jo duke i garantuar se nuk do t’u ndodhë gjë, por duke i bindur se do të mundin Edi Ramën. Ndryshe ata nuk mund të prodhojnë politikë në një skemë pushteti, të mbërthyer nga interesa politike, financiare dhe klienteliste të sofistifikuara.

Nëse Blushi vuan kompleksin se ish- mbështetësit e tij, në mandatin 2009- 2013, i ka lënë rrugës, e ka gabim. Në atë betejë, Blushi ishte më shumë në ndihmë të pushtetit të Berishës, që donte një opozitë të dobët, se sa në kërkim të ndonjë mandati si opozitar. Ai ishte më shumë një alibi e Berishës, që nuk ka opozitë konstruktive, se sa një opozitar radikal që donte të rrëzonte Berishën. Në atë kohë ai ishte në pozitat e një opozitari të opozitës dhe mbështetësit e tij nuk i la rrugëve, pasi i rehatoi në pushtetin e Berishës, qëllim dhe për të cilin ishin nisur.

Kjo është betejë serioze e tij, pasi tani ai është një opozitar real i kryeministrit dhe po i kërkon atij karrigen. Në raste të tilla nuk merret leje, por bëhet betejë.

Së dyti, në betejën për katarsis në pushtetin e së majtës, Blushi duhet të zgjedhë dhe një pozicion ideologjik. Akuzat kryesore ndaj Ramës dhe fushata antikoncesion ndaj tij, është mes të gjithash dhe një debat ideologjik, që e bën e majta radikale. Koncesionet janë një mënyrë për të pasur një qeveri më të vogël dhe natyrisht duhet të kufizohen aty ku shteti nuk ka fuqi të investojë vetë, apo ku ka më pak mundësi për shërbime më të mira. Për mendimin tim, shumë nga ato duhet të kalojnë nga Kuvendi, sidomos ato që shtrijnë mandatin shumë vite përtej mandatit të qeverisë.

Edi Rama është i qartë në këtë betejë dhe nuk ka dilema, që duhet të ecë në këtë rrugë. Blushi këtu më shumë se sa gjykatës rastesh, duhet të jetë parimor, pra duhet të ketë pozicion politik, pro, ose kunder tyre.

Problemi real në Shqipëri është se kritikat kthehen në fushata pa parime dhe kultura që po futet në shoqëri prej Berishës, është, që çdo tender apo çdo koncesion është vjedhje. Duke u nisur nga logjika se dikur këto i bënte Familja, është logjike që ata të pyesin tani kush i merr lekët që merrnin ne. E vërteta është se korrupsioni më i madh është pikërisht këtu, por një shtet do të bëjë gjithë jetën tendera, ankande dhe koncesione, pasi ato janë parimet mbi të cilat funksionon. Ndaj qëndrimi politik ndaj tyre duhet të jetë parimor dhe ideologjik.

Berisha përshembull, që është kampion i koncesioneve, kishte një cilësi të mirë politike, që u dilte zot atyre që bënte në të gjitha rastet. Kontrata e Gërdecit e negociuar nga i biri i tij, nuk ishte gjë tjetër veçse nje koncesion i partneritetit publik privat mes biznesit të djalit dhe Ministrisë së Mediut, por ai e mbrojti deri në fund, edhe pse i kushtoi 26 të vdekur, plus baxhanakun. Kjo ka rëndësi për një politikan. Rama po ashtu nuk duket i dyzuar në idenë, që koncesionet lehtësojnë shërbimet dhe çlirojnë shtetin nga detyrime burokratike. Korrupsioni dhe klientelizmi janë çështje që duhen hetuar pastaj një për një. Prandaj në këtë betejë, ka rëndësi pozicionin ideologjik i Blushit, si një i majtë radikal apo i moderuar.

Së fundmi, beteja e Blushit, duke dalë nga kuadri i betejës për kryetar partie, që tashmë është problem i mbyllur, dhe duke u kthyer në një betejë pro ose kundër Ramës për kryeministër, e bën situatën brenda koalicionit trepolare, nëse merr rëndësi reale, pasi e lidh lëvizjen e Blushit dhe me partnerët në koalicion. Një betejë e Blushit kundër Ramës, do të ishte më e lehtë nëse ai flirtonte me aleatët e Ramës në qeveri, përfshi LSI dhe partinë e Idrizit, pasi në masën që ata janë në mbështetje të Ramës, përbëjnë një problem edhe numerik për betejën e Blushit. Nëse Blushi ja del të koordinojë me ta dhe të marrë besimin e tyre, ai mund t’ia dalë të kthehet në një Fatos Nano të dytë për Partinë Socialiste, duke rikthyer betejën e tij për “katarsis” me rrëzimin e ish- kryeministrit Meta. Pastaj sa ka nevojë Shqipëria për një dejavu të Fatos Nanos, është çështje tjetër, sidomos kur flitet dhe për luftë kundër korrupsionit. (gazetatema.net)

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej