Kreu i PD-së, Sali Berisha, i është rikthyer akuzave ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, teksa u paraqit në respekt të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në Prokurorinë Speciale. Ndaj Berishës po zhvillohet gjykimi në GJKKO mbi akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me dosjen “Partizani”.
Pasi firmosi paraqitjen në SPAK dhe la shënimin përkatës, Berisha në një deklaratë për mediat, ka kujtuar procesin e vetting, që i hapi rrugën Altin Dumanit të qëndrojë në sistemin e drejtësisë dhe më pas të bëhet pjesë e SPAK-ut.
“Altin Dumani në veting ka deklaruar se: kam bërë kontratë porosie për blerje apartamenti banimi me sipërfaqe 127 metër katrorë me datën 18.8.2006, në një godinë pesëkatëshe, në Tiranë. Vlera totale e apartamentit është 50 mijë euro. Shuma e shlyer është 9 mijë euro në momentin e blerjes dhe 2 milionë e 950 mijë lekë me datën 16.11.2006 në momentin e marrjes së kredisë. Detyrimi i mbetur është 2 milionë lekë, i cili do bëhet pas plotësimit të dokumentacionit”, citoi Berisha disa dokumente. Në vijim ai shprehet “dua të sqaroj në faqen 8, ku Dumani thotë se: në këtë apartament kemi filluar të banojmë, apartamentin që kemi porositur në vitin 2006. Në apartament, thotë, kam filluar të banoj në vitin 2004.
A ka gënjeshtër më të turpshme se kjo? Në faqen 7 thotë e porosita apartamentin me kontratë porosie me 18.8.2006. Në faqen 8 thotë në këtë apartament kam filluar të banoj në vitin 2004. Dhe kam shpenzuar 1 milion e 400 mijë lekë për arredimin e brendshëm”, tha Berisha.
Në vijim të akuzave, ish-Kryeministri deklaroi se Dumani përfaqëson në SPAK, që është prokuroria më e rëndësishme e vendit, një rracë mashtruesih.
“Komisioni konstatoi, thotë, se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Pasuria është në një nga zonat më elitare të Tiranës, diku tek Liqeni i Thatë apo Kodra e Diellit, në atë krah atje, ku janë çmimet më të kripura dhe që në atë periudhë, sipas burimeve të sigurta, kanë qenë të paktën 750-800 euro. Tani shikoni se çfarë thotë komisioni. Komisioni thotë se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Komisioni vlerësoi këtë çmim në raport me çmimet e tregut, kontratat e ngjashme të porosive apo të shitblerjes në këtë zonë dhe ky çmim nuk rezulton nën koston e ndërtimit.
Pra, në variantin më të sigurt, është shumë larg çmimit të tregut, por është në çmimin e kostos së ndërtimit. Pra, apartamenti është blerë me çmimin e kostos së ndërtimit. E dëgjoni tani? Blerë me çmimin e kostos”, tha Berisha.
Berisha tha se Altin Dumani këtë apartament ia ka blerë xhaxhait të gruas, Andon Pango.
“Andon Pangos, delinkuent i dënuar me 6 vite sepse i shiste nga dy herë apartamentet, Altin Troplini i dërgon badigardin e tij për të keqtrajtuar, 2 pensionistë që kishin paguar, kishin blerë apartamentin, kishin paguar, por zhongleri Andon Pango e kishte shitur përsëri më shtrenjtë. Ky i dërgon rojet e tij, që i paguante shteti për ta siguruar këtë, për të nxjerrë pensionistët nga shtëpia, për t’i keqtrajtuar ata”, tha Berisha.
I pyetur nëse e ka denoncuar rastin Dumani, kreu demokrat u shpreh se herën tjetër do të denoncojë vilën e Altin Dumanit. “Do e denoncoja sot, por gjeta një tjetër dokument që është për Guiness”, tha Berisha.









