Presidenti Joe Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin gaboi kur u shpreh se NATO-ja do të ishte e ndarë për Ukrainën.
Presidenti Biden tha në një konferencë për shtyp se ndërhyrja ruse në Ukrainë ka ndërtuar unitetin më të madh brenda NATO-s, Bashkimit Evropian dhe ekonomive të Grupit të Shtatëshes.
Presidenti Biden tha se Putini, “nuk mendoi se ne mund ta ruanim këtë kohezion”, duke shtuar se NATO-ja “kurrë nuk ka qenë më e bashkuar se sa është sot”.
Vendet e NATO-s dhe aleatët e tjerë kanë vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë, duke dëmtuar ekonominë e atij vendi. Megjithatë, BE-ja është përmbajtur të ndërmarrë hapa si SHBA-ja duke ndaluar importin e naftës dhe gazit natyror nga Rusia.
Në një konferencë shtypi në selinë e NATO-s, Presidenti Joe Biden tha se beson se Rusia duhet të përjashtohet nga G20-a, por ky vendim do të varet nga grupi në tërësi.
Presidenti Biden tha se nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë Ukraina duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në takimet e G20 si vëzhguese.
Presidenti tha gjithashtu se çdo sulm i mundshëm me armë kimike nga Rusia do të “shkaktonte një përgjigje të të njëjtit lloj”.
Udhëheqësit e G-7ësm vendeve më të industrializuara, paralajmëruan Rusinë të mos përdorë armë biologjike, kimike ose bërthamore në luftën e saj me Ukrainën, thuhet në deklaratën e lëshuar pas bisedimeve në Bruksel të enjten.
“Ne paralajmërojmë kundër çdo kërcënimi të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore ose materialeve të ngjashme”, thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Gjermania.
Të gjitha vendet ishin të gatshme të mirëpresin refugjatët nga Ukraina.
Për sa i përket energjisë, udhëheqësit u bënë thirrje vendeve prodhuese të naftës dhe gazit që të veprojnë me përgjegjësi dhe të rrisin furnizimet në tregjet ndërkombëtare, duke shtuar se OPEC-u kishte një rol për të luajtur në këtë çështje. Ata gjithashtu thanë se do të shmangnin ndalimin e eksportit të ushqimit./VOA