Për Besnik Hasin duket se kanë përfunduar kohët e arta në krye të Anderlehtit. Ish-mesfushori i Kombëtares tonë, dikur i konsideruar si hero nga tifozët e tij, tashmë po kontestohet gjithnjë e më shumë, aq sa i janë shumfishuar zërat që i kërkojnë dorëheqjen. Edhe vetë Hasi ka deklaruar së fundi se ndjehet nën presion dhe aktualisht nuk e ka më të sigurtë qëndrimin në krye të pankinës së skuadrës belge. Ndeshja e sotme kundër Shaktior të Doneskut për fazën 1/8 të Europa League mund të jetë edhe mundësia e fundit e skuadrës së Hasit për të shpëtuar sezonin, por gjithsesi vështirësitë janë shumë të mëdha, për shkak edhe të rezultatit 3-1 në disfavor fiksuar në takimin e Ukrainës. Ndërsa në kampionat ky është thjeshtë një edicion për t’u harruar. Anderlehti ndodhet në vendin e tretë, jashtë zonës Champions dhe me 9 pikë më pak se Bryzhi kryesues dhe -7 nga ndjekësit e Gent, pothuajse e ka të pamundur për ta arritur objektivin. Për të drejtuar ekipin ku mbylli karierën si futbollist, Besnik Hasi refuzoi Kombëtaren tonë, të ofruar nga presidenti Duka përpara mbërritjes në Tiranë të Xhani de Biazit.