Nga Alket Veliu
Bast të madh ka hedhur Basha! Ky ishte mendimi i parë që më erdhi duke parë listën e PD-së në Qarkun e Vlorës.
Nuk jam në gjendje të kuptoj sa do të mundet Dulja të bindë elektoratin e rrudhur të PBDNJ-së në Qarkun e Vlorës të japin vota edhe për një çam apo sa do jetë në gjendje Dashi të bindë patriotët çamë, labë apo bregas që të votojnë anti-shqiptarin Dule.
Basha nuk e njeh metalitetin e asaj zone dhe mbase ka patur këshillim të gabuar. Dulja në atë qark është i pa votuar edhe nga vetë minoritarët, pasi ai nuk i përfaqëson më ata. Shembulli më i qartë është humbja e tij në Bashkinë e Finiqit të drejtuar nga MEGA.
Nga ana tjetër, pa dashur të hyj në analiza sa mbështetje ka Dashi në atë qark më mjafton fakti që probabiliteti që një çam patriot të japi votë për Dulen është zero.
Besoj që në dilemë më të madhe se kushdo është edhe vetë Dashi, nëse do të sfidojë krenarinë çame dhe të votojë Dulen. Jam i bindur që ditën më të keqe të jetës së vet, Dashi do të ketë atë ditë, kur të ngjitet në të njëjtin podium në krah të Dules për të kërkuar votat e çamëve me sy përdhe, pasi s’mund të ketë kurajo të shohë asnjë shqiptar në sy.
Në dilemë do të jetë dhe Basha sa herë të shkojë në Qarkun Vlorës lidhur me promovimin që mbart konflikt.
Në ndihmë të kësaj dileme një miku im erdhi me ilustrim brilant, sesi lundërtari mund të kalonte lumin me ujkun, delen dhe lakrën në të njëjtën lundër, shëndosh e mirë.
“Lundërtari” Basha do të mbërrijë në anën tjetër të lumit me lakër të ngrënë, dele të shqyer dhe mbase me ujk të vrarë nga ai vetë për të shpëtuar lekurën e vet, sidoqoftë me një lundër të shpartalluar.
Por, mos o Zot dhe na del ujku më i zoti dhe shqyen edhe lundërtarin.
Bast të fortë ke hedhur o trim!