Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj bën me dije se dy mijë rrënjë ullinj ka vendosur t’ju shpërndajë Bashkia e Tiranës familjeve që jetojnë pranë liqenit të Farkës.
Veliaj theksoi se në këto 25 vjet kemi humbur shumë kohë me përçarje, dhe se tani është momenti për të punuar.
“Po i dhurojmë komunitetit dy mijë pemë ullinj, që do të thotë se respektojmë pronën e tyre, por po u japim edhe pemët që secili prej tyre të gjelbërojë pjesën kufitare të pronës me Liqenin e Farkës. Kështu kemi edhe një lloj bashkëpunimi, ku pjesa nga shëtitorja deri në liqen investohet nga bashkia, kurse nga shëtitorja e lart mbjellja e rrënjëve të ullirit u mbetet qytetarëve”, tha Veliaj.
Bashkia shumë shpejt do të fillojë me mbjelljen e fidanëve edhe buzë autostradave dhe unazave të kryeqytetit.
Ndërkohë vijon punën për përmirësimin e transportit publik, si dhe për ndërtimin e dy unazave të reja.