Kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me strukturat drejtuese të PD në Maliq.
Lideri demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama për rritjen e papunësisë dhe varfërisë nëpërmjet politikës së tij të grabitjes, vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin.
“Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët. Paratë e shqiptarëve po i vjedh Edi Rama me familjen dhe miqtë e tij. Pasurohen të pushtetshmit dhe klientët e Ramës, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur”-tha Basha, i cili vuri në dukje se 1 në 3 shqiptarë nuk ka mundësi të ushqehet për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit për luks të parave publike nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
“Edi Rama i shpërfill shqiptarët, dhunon të pambrojturit e të varfërit dhe u shërben të fortëve dhe oligarkëve. Ai është arrogant me njerëzit e thjeshtë, me intelektualët, me artistët, por është i përulur para kriminelëve dhe oligarkëve”, tha Basha.
“Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, ka qenë mashtrim, pasi qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët, në shërbim të tij dhe oligarkëve”, shtoi kreu i opozitës.