Zgjedhjet e 6 Marsit ishin testi më i mirë për konfliktin brenda Partisë Demokratike, se kush nga Basha dhe Berisha kishte demokratët me vete. Dhe këto zgjedhje caktuan se më i preferuari është Sali Berisha, i cili fitoi një nga bashkitë bastion i demokratëve, siç është ajo e Shkodrës dhe në shumicën prej bashkive doli i dyti. Ndërsa vendin e tretë dhe me një rezultat skandaloz, dolën kandidatët e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili kësaj here regjistroi humbjen e 6 radhazi.
Në vend që të merrte përgjegjësinë për humbjen e radhës, Lulzim Basha donte ta kalonte me po të njëjtat fjalë edhe këtë humbje, duke thënë se zgjedhjet ishin zgjatim i 25 prillit, deklaratë e cila më shumë i shërbeu memeve në rrjetet sociale sesa seriozitetit që duhej të merrte për disfatën e radhës.
Goditjen tjetër Basha e mori edhe mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku pothuajse të gjithë deputetët i kërkuan që të merrte përgjegjësinë e humbjes dhe të jepte dorëheqjen.
Kryedemokrati jo vetëm që nuk e bëri një gjë të tillë, por ditën e sotme për të ruajtur karrigen e tij të stërzgjatur të opozitarit, mblodhi kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike, ku kishte orkestruar një sulm ndaj deputetëve që i kërkuan dorëheqjen. Sulmi dallohej aq lehtë që ishte i organizuar, pasi pothuajse të gjithë kryetarët e degëve përsërisnin të njëjtat fjalë njëri pas tjetrit.
Kjo është një lëvizje e zgjuar e Bashës, i cili duke përdorur frikën e kryetarëve të degëve, të cilët e dinë shumë mirë se pas ikjes së tij, radha për të lëshuar karrigen është e tyre, pasi kryetari i ri mund t’i zëvendësojë. Në këto kushte, për të mbrojtur karrigen e tyre, ata kanë dalë në mbrojtje të kryetarit, i cili tashmë i ka dal kundër edhe moralit të tij.