Kompania: Marrëveshja firmoset në fund të qershorit
Aksionerët e Bankers Petroleum kanë miratuar shitjen e kompoanisë tek kinezët e Geo-Jade Petroleum Corporation. Tashmë vetë kompania i ka mbyllur procedurat e saj dhe pret miratimet e enteve shtetërore për të mbyllur për një muaj kontratën përfundimtare të shitjes. Në një njoftim të dalë nga kompania thuhet se “Bankers Petroleum ka marrë miratimin e aksionerëve për marrëveshjen e propozuar me degën e Geo-Jade Petroleum Corporation. Në bazë të marrëveshjes, Geo-Jade do të blejë të gjitha aksionet e emetuara dhe të përbashkëta të Bankers përmes degëve të saj me një çmim prej 2.20 dollarë kanadezë për aksion. Marrëveshja është miratuar nga 97 për qind e votave të aksionerëve të pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë në takimin e veçantë të aksionerëve që u mbajt dje.
Përfundimi i Marrëveshjes është subjekt i miratimeve rregullatore mbështetur në Aktin e Investimeve Kanada dhe Administratën Kineze Shtetërore të Këmbimit Valutor. Bankers është informuar ndërkohë se Industry Canada që operon nën Aktin e Investimeve Kanada e ka zgjatur afatin për shqyrtimin e marrëveshjes deri më 27 qershor 2016. Për shkak të kësaj zgjatjeje, kompania tani parashikon mbylljen e marrëveshjes në fund të qershorit ose në fillim të korrikut”.