Policia ka dhënë detaje mbi shpërthimin me tritol ndaj makinës së Aldi Mustafës. Ai ka qenë duke udhëtuar i vetëm në makinës, ndërsa eksplozivi ishte vendosur në gomën e pasme të mjetit. 37-vjeçari nuk ka mbetur i lënduar.
“Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive.
Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.
Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.
Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës. Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.








