Ditën e sotme kanë mbërritur një grup hetuesish belgë në Prokurorinë e Elbasanit, ku janë takuar me kreun e kësaj prokurorie, Kreshnik Ajazi. Sipas informacioneve, në fokus të diskutimeve ka qenë atentati ndaj Nuredin Dumanit mbrëmjen e 29 janarit në zonën e Papërit dhe arrestimi i tij në Fier disa orë më vonë. Për të hedhur dritë mbi disa ngjarje të rënda kriminale ku ai rezulton i përfshirë, belgët kanë kërkuar përgjigje për disa pyetje që lidhen me të shkuarën e Nuredin Dumanit,.
Nuredin Dumani u qëllua me armë zjarri brenda automjetit në rrugën Elbasan-Cërrik, dhe u arrestua 5 orë më vonë i plagosur teksa merrte trajtim mjekësor në banesën e tij. Gjatë operacionit policor u arrestuan edhe tre persona të tjerë, ndërsa në banesën ku fshihej Dumani u gjet një armë zjarri automatik si dhe prova të tjera.