Është mbledhur sot Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore e FSHF, që zhvilloi punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë Asamble morën pjesë edhe delegacione nga UEFA dhe FIFA, si edhe personalitete të tjera të futbollit europian.
Nga UEFA, të pranishëm në punimet e Asamblesë ishin anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Gabriele Gravina, njëkohësisht edhe President i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), si edhe dy zyrtarët, Thierry Favre dhe Yann Hafner. Z. Gravina ishte i shoqëruar edhe nga zyrtari i lartë i FIGC, Danilo Filacchione.
Ndërsa FIFA ishte e përfaqësuar në këtë Asamble nga dy zyrtarët e lartë, Nodar Akhalkatsi dhe Sofia Malizia. Nuk munguan as dy personalitetet e rëndësishëm në futbollin ballkanas, si Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj, Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini i shoqëruar nga anëtari i KE-së së kësaj federate, Arben Borova. Ndërkaq, të ftuar ishin edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja dhe ish-trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biazi.
Pas verifikimit të listës së delegatëve dhe miratimit të rendit të ditës, fjalën e mori Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili shprehu kënaqësinë që pas një periudhe të gjatë kufizimesh nga pandemia, e shkaktuar prej COVID- 19, po kthehemi në normalitet për të zhvilluar punimet e Asamblesë së Zakonshme Zgjedhore të futbollit shqiptar dhe për t’u takuar së bashku. Më tej, Presidenti Duka theksoi se pavarësisht vështirësisë, FSHF ka mundur të çojë përpara shumë projektet për zhvillimin e futbollit, duke kapërcyer të gjitha pengesat.
“Pavarësisht vështirësive të krijuara, ne kemi punuar e kemi gjetur rrugët e duhura, jo vetëm për ta mbajtur gjallë lojën më të bukur në botë, por edhe për ta çuar përpara atë. Shumë projekte, kanë marrë udhë gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe shumë të tjera pritet të fillojnë sa më shpejt. Lufta me kohën dhe sfida ndaj vështirësive, jo vetëm na ka kalitur, por edhe na ka shërbyer si eksperiencë. Kjo është një vlerë e familjes tonë të madhe, e cila gjithmonë ka ditur të triumfojë mbi vështirësitë, sado të mëdha qofshin ato. Kjo forcë buron nga vullneti, dëshira, sakrificat dhe fryma ‘Fair Play’, që na injekton çdo ditë loja jonë e mrekullueshme, futbolli. Por të gjitha vështirësitë për të ecur përpara kapërcehen me vullnet, qetësi dhe mirëkuptim. Ne jemi të qartë për të atë që ka ndodhur, e cila është jashtë nesh dhe do të mbetet jashtë nesh”, – tha Presidenti i FSHF-së, duke i bërë apel komunitetit të futbollit, që bashkohet në të mirë të lojës më të dashur të shqiptarëve.
“Duke kërkuar, në qetësi, atë çfarë ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, unë gjeta realisht çfarë duhet të zgjedhim. Dhe ajo ka lidhje vetëm me një gjë: Zhvillimin e futbollit shqiptar dhe ecjen përpara të tij. T’i lëmë mënjanë të gjithë sulmet. Të gjithë mllefin dhe inatin e bartur. Jam i qartë në atë që them. Ne, pavarësisht gjithçkaje që ndodh brenda e jashtë nesh, duhet të shohim përpara. Pa u ndikuar nga tensionet artificiale dhe situatës së krijuar. Ne vërtetë kaluam nëpër monopate, kreshta dhe kodrina, por ato na kalisin më shumë. Duhet të mbyllet e shkuara dhe të fillojë e ardhmja. Siç i takon familjes tonë të përbashkët, shtëpisë tonë, ku gjithçka zgjidhet me mirëkuptim, dashuri dhe vëmendje. Jo me gjyqe dhe penalitete, të një bote të vjetër e të harruar prej kohësh. Duke reaguar në lidhje me këtë situatë, Ju kërkoj vetëm një gjë: Bashkim, kontribut dhe dashuri të pafund për lojën tonë të përbashkët. Futbolli ka nevojë për të gjithë ne!”, – theksoi Presidenti Duka.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi çdo anëtar, çdo klub, çdo trajner, zyrtar apo menaxher, futbollistë e futbolliste për atë që kanë bërë e që kanë arritur gjatë këtij viti relativisht të vështirë. Presidenti Duka ka renditur sukseset e ekipeve Kombëtare dhe punën e mirë që po bëhet nga stafet teknike të ekipeve të moshave me formimin e talenteve që premtojnë një të ardhme të shkëlqyer, ndërsa bëri një rezume të investimeve gjigande që janë bërë kudo nëpër Shqipëri në përmirësimin e infrastrukturës, që është një nga prioritetet më të mëdha të FSHF.
Sakaq, Presidenti i FSHF-së theksoi se nuk do të rreshtim së kërkuari bashkëpunim me shtetin shqiptar të bindur se ky jo vetëm është një detyrim i çdo qeverie, por edhe se kjo i shërben edukimit dhe të ardhmes së fëmijëve tanë dhe ka vetëm efekte pozitive për vendin. Dy prioritetet kryesore në punën e FSHF-së do të jenë futbolli i fëmijëve, pra ai i bazës dhe futbolli i femrave për të nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë fëmijëve në akademitë apo klubet e futbollit kemi punuar në disa drejtime, si për shembull, organizimi i garave Rajonale, organizimi i futbollit në shkolla duke e patur këtë të fundit si një pikë referimi për zhvillimin e futbollit. Vendimet e rëndësishme që ka marrë FSHF do të nxisë edhe më tepër pjesëmarrjen e fëmijëve në klube dhe akademi futbolli, siç është “projekti i uniformave”, ku klubeve dhe akademive të futbollit do t’ju jepet falas, për futbollistët e tyre të moshës nga 7 deri në 19 vjeç, uniforma loje dhe stërvitjeje. Ky projekt do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në mbi 14.000 familje shqiptare, fëmijët e të cilëve merren me futboll. “Kam kënaqësinë që të vlerësoj ecurinë e mirë, të futbollit të femrave. Për vetëm 12 vjet, ne kemi patur një zhvillim aq të mirë në këtë drejtim, sa mund të ndjehemi krenarë, krahasuar edhe me vende edhe më të zhvilluara se ne. Kemi mbështetur këtë iniciativë dhe sot mund të them me kënaqësi, se edhe perceptimi popullor ka ndryshuar për mirë”, – tha Duka. Në fjalën e tij Presidenti i FSHF-së, foli edhe për arritjet e ndjeshme në sektorin e Edukimit, raportet me Federatat homologe dhe në mënyrë të veçantë ato me UEFA-n dhe FIFA-n, që mbetet një prioritet në punën e Federatës. “Falë bashkëpunimit me këto institucione ne kemi përpunuar dhe zbatuar shumë projekte të përbashkëta të cilat kanë përmirësuar cilësinë e futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit dhe futbolli shqiptar, kanë fituar besimin e partnerëve. Ne organizuam në fundin e shtatorit, mbledhjen e Komitetit Hattrick, që ishte një ngjarje e madhe dhe një eksperiencë e rëndësishme për ne. Gjithashtu, vitin e kaluar UEFA i besoi FSHF-së organizimin e disa aktiviteteve ndërkombëtare, por sigurisht ngjarja më e madhe, është organizimi në ‘Air Albania’ në Tiranë i finales së parë të kompeticionit të ri, UEFA Europa Conference League”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka në fjalën e tij.
Më pas fjalën e mori Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Gabriele Gravina, i cili fillimisht shprehu solidaritetin e tij për popullin ukrainas, si dhe falënderoi Presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin që po i qëndron afër Ukrainës. Si anëtar i KE-së së UEFA-s, Gravina theksoi se qeveria e futbollit europian ka ndjekur me vëmendje ndërhyrjet e jashtme në botën e futbollit shqiptar, teksa uroi që me zhvillimin e kësaj Asambleje, gjithçka të lihet pas. Gabriele Gravina vlerësoi FSHF-në për të gjithë punën e bërë përgjatë këtyre viteve, duke sjellë ndryshime të dukshme në futbollin shqiptar.
“Është kënaqësi e madhe dhe privilegj i madh të përfaqësoj në këtë Asamble Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe Presidentin Ceferin, i cili iu dërgon përshëndetjet e tij. Dua ta falënderoj presidentin Ceferin për atë që po bën në këto momente për t’iu qëndruar afër njerëzve që po vuajnë nga lufta në Ukrainë. Ai është impenjuar me të gjitha energjitë e tij, për t’u mundësuar të gjithë sportistëve në Ukrainë që të kthehen në mënyrë të sigurt në vendet e tyre. Po jetojmë ditë shumë të vështira, që prekin ndërgjegjen tonë, por në veçanti futbollin. Jemi njerëz të futbollit dhe principet tona janë respekti dhe miqësia. Sot, shoqëria jonë është e bashkuar për t’i shprehur solidaritetin popullit ukrainas, duke mbështetur dialogun dhe jo luftën. Urimi është t’i kthehemi një jete në paqe, pa tensione. Lutjet tona shkojnë për ata që po vuajnë”, – tha Gravina.
“Kemi parë shumë tensione dhe ndërhyrje të jashtme në botën e sportit, që e kanë shtyrë UEFA-n të jetë e vëmendshme kundër këtyre ndërhyrjeve. UEFA ka dërguar një delegacion dhe ndërhyrjen e vetë presidentit Ceferin. Uroj që me zhvillimin e kësaj Asambleje ta kemi hedhur pas krahëve të gjithë atë që ka ndodhur dhe po ndodh në këto minuta me qetësinë dhe vetëbesimin, që nga ky konsensus të kemi një shpirt sa më të bashkuar dhe solidar, nëpërmjet të cilit të drejtohet futbolli shqiptar. FSHF është një realitet thelbësor në procesin e forcimit të politikave të UEFA-s, që ka treguar në vitet e fundit një zhvillim të rëndësishëm, jo vetëm sa i përket aspektit tekniko-sportiv. I referohem modernizimit të infrastrukturave, jo vetëm atë që pamë në video, por ka ndodhur edhe një evolucion i jashtëzakonshëm, me shumë iniciativa ndërkombëtare për të cilat keni qenë promotorë kryesorë. Janë ndërmarrë hapa deçizive për fillimin e një strategjie zhvillimi në bashkëpunim me UEFA-n dhe një vëmendje e rë në futbollin e femrave e një plan ambicioz për ndërtimin e 100 terreneve sportive në të gjithë kombin, zhvillimin e infrastrukturave dhe ndërtimin e 4 stadiumeve të reja, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Por nuk mund të harrojmë këtu evente të rëndësishme të mirëpritura në Tiranë, siç ishte mbledhja e Komitetit HatTrick, apo edhe finalja e parë historike e UEFA Europa Conference League. Shumë rrugë është bërë, por jam i sigurt se shumë rrugë do të bëhet në të ardhmen e afërt, së bashku me familjen e madhe të futbollit kontinental. Faleminderit për atë që keni bërë dhe atë që do të bëni”, – theksoi Presidenti i FIGC.
Ndërsa, përfaqësuesi i FIFA-s, Nodar Akhalkatsi i pranishëm në mbledhje gjithashtu u solidarizua me popullin ukrainas, teksa më tej u ndal të fliste për zhvillimet e futbollit shqiptar. Në emër të FIFA-s, Akhalkatsi përgëzoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për punën e bërë deri tani, ndërsa i uroi të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, duke pasur gjithmonë mbështetjen e FIFA-s.
“Dua t’ju përshëndes të dashur delegatë të Asamblesë së Përgjithshme dhe Komitetit Ekzekutiv, Presidentit Gravina, Presidentëve Ademi dhe Sejdiu dhe gjithë familjen e futbollit shqiptar. Është një kënaqësi që unë jam këtu që përfaqësoj FIFA. Është shumë e vështirë këto ditë për të ndjekur lajmet mbi futbollin, lajmet politike. Gjithashtu qenia ime këtu lidhet me shqetësimin dhe shpreh lutjet e mia për popullin ukrainas dhe viktimat atje. Futbolli nuk është më prioritet këto ditë sepse duhet të gjejmë mënyra për të ecur përpara, sepse dhe komuniteti i futbollit po vuan këto ditë nga kjo ngjarje. Shoqëria e futbollit tregoi bashkësi, unitet dhe vendosmëri, kur FIFA dhe UEFA morën vendime respektive për situatën e krijuar. Të gjithë keni ndjekur lajmet dhe besoj se ky është reagimi i duhur i këtyre institucioneve. E gjithë bota po reagon ndaj këtij veprimi dhe më lejoni të uroj gjithë të mirat për popullin e Ukrainës dhe lutjet e mia. Sa i takon zhvillimeve për futbollin, FSHF, nuk kam shumë për të shtuar. Kam parë një video të shkëlqyer, Presidenti Gravina nënvizoi pika të ndryshme. Kontributet nga FIFA dhe UEFA, tek këto ambiente, tregon një kontribut të vogël në futboll dhe duke parë ndër vite, kisha shansin të ndiqja zhvillimin e futbollit shqiptar. Kam qenë dëshmitar i zhvillimit me lidershipin e Presidentit Duka, keni një stadium fantastik, keni një infrastrukturë moderne, mbresëlënëse. Më lejoni në emër të FIFA, t’ju përgëzoj për punën e bërë deri tani dhe ju uroj të vazhdoni në këtë mënyrë. Të gjithë sektorët janë të rëndësishëm dhe ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë. Kjo është fuqia e futbollit, ju lutem vazhdoni në këtë rrugë për të ardhmen. Dua t’ju uroj një Asamble të suksesshme dhe gjithmonë besoni te mbështetja e FIFA dhe UEFA për zhvillimin e futbollit”, – tha zyrtari i FIFA-s Nodar Akhalkatsi.
Presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në fjalën e tij deklaroi se ndihet pjesë e FSHF-së dhe se është historike fakti që Duka është personi i parë që ka përfaqësuar Shqipërinë në ekzekutivin e UEFA-s.
“Ndihem i privilegjuar dhe ndihem pjesë e juaja, sepse u rrita bashkë edhe e ndjej sikur e ndaj postin me Lutfi Nurin në FSHF për faktin se jam gjithmonë pjesëmarrës në këto Asamble. Asamble të tilla si kjo e sotmja, nuk kanë ndodhur dhe nuk do të kisha dashur të kishte një ndalesë politike, sepse e dimë që futbolli, për mua dhe për njerëzit e futbollit, është një art dhe terrenin e bëjnë si një pikturë futbollistët me imagjinatën e tyre. Dhe nëse e sheh nga lart është piktura më e bukur dhe më e lirë në botë, prandaj të mos e ndalojmë këtë pikturë e të mos hyjnë, kamionë, tanke apo mjete luftarake, siç po ndodh edhe në botë, por edhe këtu për ta penguar këtë fuboll, për ta penguar këtë pjesë më të bukur, që edhe në kohërat më të vështira të pandemisë dhe të tërmetit, është pjesa më emotive dhe pjesa e cila jep shpresë dhe emocion. Prandaj këtë emocion duhet ta kultivojmë dhe besoj që këtë e dinë të gjithë njerëzit që në një formë apo në tjetrën e pengojnë”, – tha Ademi, duke shtuar: “Besoj se duhet ta kenë parasysh secili që ta ndihmojnë këtë futboll të rritet, sepse është vlerë e një kombi, vlerë e një shteti. Sigurisht kur e shohin që në futboll, sidomos te ne federatat e vogla, FIFA dhe UEFA janë babë dhe nënë të federatave tona, atëherë dhe kjo pjesa tjetër duhet të bashkëngjitet që gjithmonë ta kultivojë dhe ta ndihmojë futbollin. Nuk është e lehtë ta kesh një njeri në qeverisjen europiane të futbollit. Për herë të parë ne kemi një shqiptar që është Armand Duka dhe duhet t’i japim përkrahjen. Është nder për një shtet dhe për një komb që të kesh një njeri të tillë, ku udhëheqja bëhet nga pjesa qendrore dhe pjesa më e lartë e futbollit. Veprat flasin vetë, tashmë klubet e futbollit, futbollistët dhe njerëzit që jetojnë me futbollin shqiptar e prekin vetë nga afër rezultatet dhe punën e mirë që është bërë në Shqipëri. Ne e gjejmë veten nga kjo pjesë, sepse edhe ne si federatë më e vogël kemi përfituar me edukime me infrastrukturë e gjithçka tjetër. Unë jam i nderuar sepse kam një model kujt t’ia marr dhe prandaj këtë model besoj që duhet të na e përkrahin të gjithë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Ju si presidentë klubesh, që jepni një kontribut të madh, duhet që t’ua shpërblejë edhe shteti, edhe federata, edhe tifozët”, – përfundoi Ademi.
Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke diskutuar raportin e aktivitetit të FSHF-së, prezantimin e bilancit financiar, raportin e auditorëve të pavarur, miratimin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2021, miratimin e buxhetit për vitin 2022, emërimin e audituesve të pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2022.
Në fund, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF vendosën me votë unanime që Asambleja të thirret sërish më 15 mars 2022 për të zhvilluar zgjedhjet për President të FSHF-së dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
https://www.youtube.com/watch?v=6JsRTWfx1CU&feature=emb_title