Akuzohen për fallsifikim të dokumentacionit për 220 ha truall në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun
Prokuroria e Vlorës lëshoi dje urdhër arresti për një notere dhe një avokat në Vlorë, të akuzuar për fallsifikim të dokumentacionit për 220 ha truall në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun. Policia ka arrestuar mbrëmjen e djeshme noteren Belona Seraj dhe avokatin Enkes Hysendhima.
Prokuroria e Vlorës urdhëroi kontrollin e zyrës noteriale dhe avokatore, proces i cili u krye në bashkëpunim me Policinë Vendore. Në vijim të kontrollit, në zyrën e noteres Belona Seraj dhe avokatit Enkes Hysendhima, u gjetën një numër i lartë dokumentesh të fallsifikuara.
Në bazë të këtyre rezultateve, është ndërhyrë me arrestimin në flagrancë të këtyre personave nga ana e Policisë. Prokuroria e Vlorës po vijon hetimin për rastin, ku dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë.