Tre kosovarë janë arrestuar në Gjermani të dyshuar sit ë lidhur me rrjetet e terroristëve. Sipas informacioneve të ‘ARD-Magazin’, “Report München” dhe BR-Hörfunks, tre kosovarët janë arrestuar pasi dyshohej se po përgatisnin sulme në Gjermani.
Janë dy vëllezër kosovar dhe një shoqërues i tyre të cilët janë të moshës, 36 deri në 46 vjeç. Ata u arrestuan në magjistralen A8 pranë Rosenheim. Të tre personat kanë punuar më parë në një firmë ndërtimi në Belgjikë, duke shtuar dyshimet të ketë lidhje mes tyre. Policia ka reaguar pasi një person i panjohur deri më tani për publikun, e ka njoftuar policinë se ekzistonte rreziku i një sulmi terrorist.
Ata janë deklaruar se janë punëtorë ndërtimi. Me vete kishin 10 mijë euro, por kanë deklaruar se paratë i kishin për të blerë një veturë dhe vegla për punë. Sidoqoftë, mediat gjermane raportojnë se njëri nga tre personat, ishte i kërkuar me fletëarrest.
Momentalisht të dyshuarit janë dërguar drejt Prokurorisë së Mynihut, me pretekstin e “prishjes së rendit publik dhe si të rrezikshëm për sigurinë shtetërore.” Nesër do vendoset edhe për masën që mund t’u shqiptohet.