Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për gjyqtarin Ibrahim Hoxha. Ai do të qëndrojë për 30 ditë në qelitë e paraburgimit dhe më pas do të merret një tjetër masë ndaj tij në bazë të dosjes që prokuroria do të dërgojë në Gjykatë.
E njëjta masë sigurie është marrë edhe ndaj tre të arrestuarve të tjerë gjatë ditës. Kështu, në burg për 30 ditë do të mbeten edhe Ledjon Hoxha, i biri i gjyqtarit, biznesmeni Dritan Jazexhiu si dhe Nevruz Gajde, i cili shërbente si sekser, me njohje të vjetra me gjyqtarin. Ata u arrestuan në flagrancë teksa po shkëmbenin rreth 6 milionë lekë të vjetra, shumë e cila do t’i jepet gjyqtarit për të favorizuar biznesmenin në një padi civile për çështje pronash. Ata u arrestuan pak ditë më parë në kuadër të një operacioni të koduar Berat, raporton oranews.
Trupi gjykues i ka kërkuar organit të hetimit prova shtesë për të akuzuarin brenda afateve të paraburgimit, në të kundërt ai përfiton lirinë.