Arben Fetai ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Qeverisjen e Mirë, duke i dhënë fund një periudhe të shoqëruar me polemika për mungesën e tij në aktivitetet qeveritare.
Në një postim në Facebook, Fetai bëri të ditur se ia ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e cilësuar vendimin si të mirëmenduar dhe të marrë me bindjen se “në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”.
“Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Fetai, ndërsa pranon se jo gjithçka është arritur sipas pritshmërive.
Dorëheqja vjen vetëm pak javë pasi emri i tij u përfshi në debat publik për mungesat e gjata në punë. Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Fetai nuk ishte paraqitur në detyrë prej muajsh, ndërsa aktivitetet e tij të fundit publike si zëvendëskryeministër datonin që nga marsi.
Çështja mori edhe më shumë vëmendje pasi Fetai mungoi në seancën e pyetjeve të deputetëve më 18 maj, megjithëse më herët ishte paralajmëruar pjesëmarrja e tij. Në të njëjtën periudhë u ngritën pyetje edhe nëse ai vazhdonte të merrte pagë nga buxheti i shtetit.
Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Mickoski deklaroi se do të zhvillonte një takim me Fetain dhe se pas tij do të sqaroheshin shumë çështje që lidhen me pjesëmarrjen e tij në Qeveri. Megjithatë, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse zëvendëskryeministri vazhdonte të merrte pagë pavarësisht mungesave.
Më herët, Mickoski kishte bërë të ditur se Fetai i kishte shprehur personalisht dëshirën për t’u larguar nga Qeveria dhe për t’u rikthyer në Bruksel, ku ka pasur angazhime profesionale para se të merrte detyrën në ekzekutiv.








