Në pjesën e parë, pas një fillimi më të mirë të sfidës të Crystal Palace, Rayo Vallecano e balancoi atë dhe në minutën e 25’ krijoi një shans shumë të pastër shënimi me Alemaon, që pas një krosimi të De Frutos, me një gjuajtje fluturimthi e dërgoi topin jashtë për vetëm pak centimetra.
Në minutën e 39’, spanjollët rrezikuan sërish, këtë radhë me Unai Lopez, por edhe gjuajtja e tij për pak përfundoi jashtë portës së anglezëve.
Ndërsa pak para fundit të pjesës së parë ishte skuadra londineze që pati një shans të artë me Mitchell që u gjet saktë nga Wharton, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi jashtë dhe kështu skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një mundësi të Mateta për Crystal Palace, por Lejeune ndërhyri përpara sulmuesit të skuadrës londineze duke e larguar topin.
Nuk vonoi shumë dhe skuadra e Oliver Glasner arriti të zhbllokojë rezultatin, pikërisht me Mateta, në minutën e 51’ me francezin që dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga Batalla pas një gjuajtjeje të Wharton.
Goli i dha krahë ekipit anglez që kërkoi golin e dytë dhe shanset i pati, sidomos ai me Yeremi Pino me goditje dënimi që goditi dy shtyllat njëra pas tjetrën, topi i kthyer shkoi te Ratiu që për pak sa nuk shënoi autogol, teksa topi i tij në tentativë largimi u përplas në traversë. Vetëm pak sekonda më vonë Batalla shpëtoi Rayon teksa ndali Mateta. Rayo i pati mundësitë e saj sidomos me Ratiun, por nuk i shfrytëzoi rastet e krijuara.
Crystal Palace bëhet kështu ekipi i dytë anglez që fiton një trofe europian këtë sezon, pas Aston Villa-s në Europa League, dhe gjithashtu bëhet ekipi i tretë anglez që e fiton këtë trofe, pas West Ham në 2023 dhe Chelsea në 2025.
CRYSTAL PALACE 1-0 RAYO VALLECANO
Mateta 51’
Goli i Matetas (Video)
gijotina.com/









