Masa e arrestit 40 ditor, deri në ekstradimin e tij drejt Shqipërisë
Një gjykatë në Amsterdan ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Arben Frrokun në pritje të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë. Sipas Agjensisë BIRN, masa e arrestit për një afat 40 ditor për të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, është marrë në limitet e skadimit të afatit të paraburgimit që mbaronte më 9 maj. Por në këtë datë, Zyra e Prokurorit të Amsterdamit urdhëroi arrestimin e tij të menjëhershëm për arsye të ekstradimit. BIRN ka cituar zëdhënësin e Prokurorisë së Amsterdamit, i cili është shprehur se gjykatësi dha masën e arrestit me burg deri sa të kryhet gjykimi ndërsa data e gjyqit do të planifikohet më vonë. Zëdhënësi është shprehur se ky proçes mund të kërkojë disa muaj.
“Aktualisht proçedurat e ekstradimit kanë nisur dhe ne po presim për një kërkesë zyrtare për ekstradim” është shprehur zyrtari holandez. Sipas të dhënave që Prokuroria e Amsterdamit i ka dërguar BIRN, Frroku është arrestuar më 9 mars i dyshuar për përdorimin e një pasaporte greke falso, ndërsa më 17 mars gjykata e Amsterdamit e dënoi atë me dy muaj burg. Prokuroria e Përgjithshme shqiptare e ka nisur kërkesën për ekstradim te Ministria e Drejtësisë, e cila nga ana e saj e ka nisur për në Hollandë.