Rritet numri i emigrantëve të kthyer pa asnjë arsye si hakmarrje pas deklaratave kryeministrit Rama për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve
Ambasada greke ka reaguar ndaj pasqyrimit në media të kthimit masiv të emigrantëve shqiptarë në kufirin grek. Ambasada greke pretendon se kthimi i emigrantëve shqiptarë është procedurë normale, ndërkohë që vetëm dje numri i emigrantëve të kthyer pa asnjë arsye në kufirin grek, shkoi mbi 100. Në të vërtetë shifra nuk është aspak normale, pasi në kohë normale, numri i të kthyerve nuk shkon më shumë se 20 dhe kthimet janë të arsyetuara me mungesë apo parregullsi dokumentacioni. Në rastin konkret, ditët e fundit, kthimi i tyre bëhet pa asnjë arsyetim.
Megjithatë ambasada greke pretendon se:
“As edhe një ndryshim nuk ekziston për sa u përket shërbimeve që autoritetet konsullore greke në Shqipëri u ofrojnë qytetarëve shqiptarë. Ato, me përpjekje mbinjerëzore, gjatë muajve të fundit ia kanë dalë që të shkurtojnë kohën e pritjes, nga 10 ditë në 3 ditë pune, që nga momenti që çdo dokument dorëzohet nga posta. Kuptohet që autoritetet greke nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çdo vonesë të mundshme në dërgimin e korrespondencës nga ana e Postës Shqiptare.”
Deklarata e ambasadës në të vërtetë nuk e justifikon fshesën greke ndaj emigrantëve shqiptarë, reagim që erdhi pas deklaratës së Ramës se Çështja Çame e të tjera që janë pa zgjidhur mes dy vendeve do të duhet të zgjidhen bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare.