Një automjet tip “Benz” ka goditur nga pas një motoçikletë, në të cilën udhëtonte një turist në drejtim të Beratit.
Nga përplasja e fortë, drejtuesi i motoçikletës, një shtetas i huaj, ka marrë dëmtime të shumta dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës nga ambulanca, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia e qarkullimit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Sipas të dhënave të para, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës ka humbur kontrollin dhe më pas është goditur nga pas nga automjeti tip “Benz”.
Gjithsesi, pritet ekspertiza shkencore që do të përcaktojë shkaqet e sakta të aksidentit, ku mbeti i plagosur një turist 35-vjeçar.
Aksi rrugor Lushnjë–Berat, për shkak të trafikut të rënduar dhe karrexhatës me një korsi për çdo drejtim, vijon të mbetet një nga segmentet problematike ku raportohen shpesh aksidente rrugore, disa prej të cilave edhe me pasoja të rënda.










