Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nuk do të lodhet më të zbardhë me stafin e tij sherret e deputetëve, sepse tani vendos sistem AI. Për këtë kujdeset bosi i PC STORE, Elton Mehmeti. Ndërsa taksapaguesve, ky shërbim për zbardhjen e fjalëve me inteligjencë artificiale në parlament, u kushton afro 1 milion euro.
Peleshi, i cili po vuan shumë me ndëshkimin e deputetëve që përdorin fjalë të pista, donte ta bënte sa më shpejt këtë projekt. Por tenderi, që bëhej ditën, shthurej natën.
Ja c’ndodhi? U duk sikur bosi i PC STORE e vuri në vijë punën e tenderit të sistemit AI. Në qershor 2025, para largimit të Elisa Spiropalit nga detyra e kryetares së Kuvendit, u shpall fituesi i tenderit.
Më konkretisht, kontrata ka objekt: “Blerje e sistemit të transkriptimit të dhënave audio-video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj”. Fondi limit tashmë nisi të transferohej në llogaritë e fituesit. Pra, kur mendonim se kjo punë ishte mbyllur, mësojmë se vazhdonte lufta në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Ky është vendimi i lëshuar më 9 Prill 2026 nga KPP, ku rrëzohet kërkesa e kompanisë MCN, e cila kërkonte rishikimin e vendimit mbi këtë tender.
Nga ky akt i vonuar, marrim shkas të rikujtojmë se si u zvarrit për 2 vjet, gjatë ndërrimit të 3 kryetarëve të Kuvendit, tenderi i sistemit AI, derisa përfundoi në duart e PC STORE.
Idea ishte e ish-kryetares Lindita Nikolla. Por kur i bëri gjërat gati, e detyruan të largohej dhe ta dorëzonte tenderin bashkë me detyrën.
Faza e parë e prokurimit përfundoi më 22 korrik 2024, katër ditë para se kryetarja të jepte dorëheqjen për “arsye shëndetësore”.
Siç merret vesh, skualifikimet e kompanive janë pritur me ankesa të forta. Shpallja e fituesit nga Kuvendi do të mbetej pezull në KPP, sipas pasojë e disa denoncimeve për parregullsi. Po të merret parasysh ndikimi politik në KPP, kuptohet se Elisa Spiropalit po i bëhej një lloj “mirëseardhjeje” me këtë tender.
Tenderi lidhej me aplikimin e AI për zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Teknologjia e luksit do të shkonte fillimisht për ligjvënësit, ndërsa për Agjencinë e Prokurimit Publik ndoshta mandatin tjetër.
Projekti parashikonte një platformë të re që transkripton të gjitha takimet që janë pjesë e aktivitetit parlamentar si seancë plenare, mbledhje komisionesh parlamentare dhe çdo mbledhje tjetër të forumeve të Kuvendit.
Procesi kryhej manualisht nga ekipi i redaktorëve të Kuvendit ku vlerësohet se prodhohet mbi 10 orë material audio në ditë. Ndërkohë, nuk saktësohet nëse do të ketë akoma nevojë për punën e redaktorëve. Deri tani këtë sistem e përdor Italia, Irlanda dhe Gjeorgjia.
Nëse përfshijmë edhe TVSH, kontrata parashikohej në 895 milionë lekë të reja.
Denoncimi i parë për këtë tender është regjistruar nga KPP më 12 gusht 2024. “MC NETËORKING” SHPK kërkonte shfuqizimin e vendimit tё Komisionit të Vlerësimit për skualifikimin e ofertës të paraqitur nga ky operator.

Po ashtu, kompania kërkonte “Mbetjen të skualifikuar dhe shtimin e arsyeve të skualifikimit të ofertës së paraqitur nga firma italiane “CEDAT 85” S.R.L.
Stafi i Elisa Spiropalit mori në dorë menjëherë 3 tendera me vlerë afro 1.2 milionë euro të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe infrastrukturës virtuale, të firmosura nga Lindita Nikolla, disa ditë para dhënies së dorëheqjes.
Paralelisht me tenderin për AI, është zhvilluar edhe një prokurim tjetër i shtrenjtë dhe ndoshta aspak i domosdoshëm. Konkretisht, më 25 qershor 2024 është njoftuar procedura e prokurimit me objekt: “BLERJE E SISTEMIT TË MENAXHIMIT TË KONSULTIMIT PUBLIK (OSHC, OJF, PALË INTERESI DHE LOBISTË) DHE SHËRBIM MIRËMBAJTJE 48 MUAJ”, me fond limit 100 milionë Lekë (pa TVSH).

Edhe ky tender është ankimuar më 24 korrik 2024 në KPP, ku kërkohet “Shfuqizim i Vendimit tё Komisionit të Vlerësimit për skualifikimin e ofertës të paraqitur nga “INSTANT.AL” SHPK”.
Ndërkaq, kërkohet anulimi i “vendimit mbi anulimin e tenderit” të njoftuar më 22 qershor 2024 me objekt “Shërbim Mirëmbajtje, Upgrade i Infrastrukturës Virtuale VDI për 24 Muaj”, me fond limit 129 milionë lekë pa TVSH.
Procedura për të cilën ankohet “Albital Canon” SHPK, është zhvilluar në datën 9 korrik 2024 nga Kuvendi.
“Kritere diskriminuese dhe përjashtuese që favorizojnë operatorë të caktuar”, ky është thelbi i denoncimeve të kompanive.
Kështu, për të tretën herë rresht, pezullohet tenderi për vendosjen e Inteligjencën Artificiale në sallën e Kuvendit.
Tenderi i ri autorizuar nga stafi i Elisa Spiropalit u shpall në janar 2025 dhe është ankimuar nga dy kompani konkurruese. Njëra prej tyre është “DATA Log” shpk, e cila kërkon ndryshimin e kritereve dhe kushteve të tenderit.

Kuvendi kërkonte të paktën një zhvillues të certifikuar për standardin “Akoma Ntoso”. “Përcaktimi i një kriteri të tillë është jo proporcional me objektin e kontratës,- ankohet “DATA Log. Kërkesa është tepër kufizuese”.
Sipas kompanisë, nuk ekzistojnë certifikime të njohura ndërkombëtarisht për “Akoma Ntoso”. Standardi “Akoma Ntoso” është zhvilluar si një iniciativë afrikane. Siç mund të konstatohet shumë thjeshtë me një kërkim në Google: Akoma Ntoso (“zemrat e lidhura” në gjuhën akane të Afrikës Perëndimore) përcaktohet për dokumentet parlamentare dhe gjyqësore. Por, nuk ekziston asnjë autoritet ndërkombëtar i akredituar apo ndonjë kompani me reputacion që ta afronte si certifikim zyrtar.
Përfshirja e këtij kriteri përjashton padrejtësisht operatorët ekonomik që kanë aftësi reale teknike, thekson në ankesën e saj kompania.
Por sic do ta shohim, ekzistonte një kompani në Maqedoni, që i kishte këto cilësi.
Sic ndodh rëndomë në tenderat me vlerë të madhe, vendoset para një kompani e huaj dhe pas saj qëndrojnë shqiptarët.
Tenderi do të fitohej nga kompania e regjistruar në Maqedoninë e Veriut “Dega Semos Al”. Firma ka një kapital modest prej 365 mijë lekësh. Mjafton vetëm ky fakt për ta skualifikuar nga gara. Por në tender është deklaruar se maqedonasit mbështen nga dy kompani shqiptare.

Njëra është kompania “BitGenius” me pronar dhe administrator Vangjush Tasellarin nga Pogradeci. Kjo firmë është krijuar disa javë para organizimit të tenderit nga Kuvendi.

Kapitali i saj është vetëm 100 mijë lekë. Paradoksalisht, ky person është administrator edhe i firmës maqedonase.
Por pas kësaj afere qëndron një ujk i tenderave, bosi i PS STORE, Elton Mehmeti, i cili shfaqet si “kompani mbështetëse’. Në fakt. Mehmeti ka ofruar garancitë financiare dhe lidhjet me zyrtarët e Rilindjes.

Pra, nga italianët, tek afrikanët dhe maqedonasit dhe përfundojmë tek Elton Mehmeti.
Kujtojmë se “PC Store” ka qenë së fundmi në aksion për tendera të mëdhenj. Kështu më 17 mars 2026, u publikua kontrata për kompiutera dhe pajisje elektronike për “Inkubatorin e Arkitektures”. Dritan Agolli i ka dërguar një letër ku e njofton kompaninë “PC STORE” të paraqitet për nënshkrimin.
Më konkretisht objekti i kontratës së FSHZH është “Inkubatori i biznesit në arkitekturë dhe ndërtim në Tiranë- Pajisje elektronike”.

Fondi limit i caktuar për furnizimin me këto pajisje është 255 milionë lekë pa TVSH. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërise kjo vlerë konvertohet në 264,2 mijë Euro.
Kompania PC STORE është e “certifikuar” nga raporte zyrtare për mashtrime me cilësinë. Megjithatë, pronari i saj Elton Mehmeti arriti t’i eliminojë konkurrentët falë vendimeve korruptive të Agollit dhe të KPP.
Një “Flamur i kuq” i Open Data valvitet mbi procedurën për të sinjalizuar riskun e korrupsionit. Ndoshat i trembur nga hetimet e SPAK, Agolli ka preferuar që vendimmarrjen e tenderit ta ndajë me KPP, duke i detyruar pjesëmarrësit të ankohen.
Fillimisht duhet të themi se oferta e PC STORE është më e shtrenjta. Siç duket në dokumentin e ofertave, ka pasur kompani që mund ta bënin këtë furnizim me afro 90 milionë lekë më pak.
Po ashtu, vihet re se një nga aplikuesit ka marrë pjesë fiktivisht, duke paraqitur ofertë me vlerë “zero” lekë.
Më 23 dhjetor 2025 do të ankohej “PC Store” SHPK. Firma kërkonte skualifikimin e ofertës fituese.
KPP, më 2 shkurt 2026, vendosi të marrë në konsideratë ankesën e “PC Store” SHPK. Në këtë rast u “urdhërua” FSHZH të rivlerësojë ofertat.
Menjëherë Dritan Agolli ka bërë rokadën duke shpallur fitues kompaninë me ofertën më të lartë.
PC STORE në vitet e fundit ka fituar rreth 160 tendera me vlera që kapin miliona euro. Shumica e tyre janë pa garë apo shumë pranë me fondin limit.
Kjo kompani ka metodë pune të mashtrojë autoritetet publike në mënyrë që të përfitojë sa më shumë. Për këtë arsye në vitin 2024, Agjencia e Prokurimit Publik e ka përjashtuar me 7 muaj nga pjesëmarrja në tenderat publikë. Bëhet fjalë për një tender të vitit 2022. Mehmeti ka mashtruar në lidhje me disa skanera me të cilët duhet të furnizonte AKSHI-n.
Mashtrimi ka dalë në pah në disa raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rezulton se kompania PC STORE ka fituar tenderin për pajisje të një cilësie të caktuar, por realisht i ka sjellë me parametra më të ulëta dhe rrjedhimisht më të lira.
Mashtrimi vazhdon. Edhe pse i përjashtuar zyrtarisht nga pjesëmarrja në tendera publikë për shkak të falsifikimeve, Mehmeti ka krijuar një kompani të re në emër të bashkëshortes.
Në këtë kohë, Dorjana Mehmeti e “QuantX IT Solutions” SH.P.K. ka arritur të marrë një kontratë me vlerë 270 milionë lekë nga komisioneri Besnik Dervishi.
Më 12 dhjetor 2025, Elton Mehmeti godet sërish. Tashmë me një supër tender. Këshilli i Lartë Gjyqësor, me urdhër të Ilir Rusit ka zhvilluar një procedurë për “Blerje pajisje elektronike F-V”, me një fond limit prej më shumë se 1 miliard lekë pa TVSH.
Fitues është shpallur kompania PC STORE me një procedurë plotësisht fiktive. Nga 6 pjesëmarrës, tre prej tyre kanë paraqitur ofertë zero lekë.
Të gjitha këto ndodhën teksa vazhdonte “operacioni” shqiptaro-maqedonas për tenderin e Inteligjencës Artificiale për fjalimet e ligjvënësve tanë.
gijotina.com/










