Nga Mentor Kikia
Ne shqiptarët i kemi mbushur mendjen vetes se jemi njerëz të besës, e madje këtë e kemi një institucioin të hipotekuar në “arkivën” e pasurive tona kombëtare. Gjithashtu i kemi mbushur mendjen edhe se nderi për ne është gjeja më e shenjtë. Dhe në këtë pikë ne jemi shumë të qartë, që për nder kuptojmë atë seksual, pra mbrojtjen e nderit të femrës.
Por asnjëherë se kam kuptuar se si është e mundur që burrat që të vrasin për nder, mbushën rrugët e Europës me vajzat e vendit të tyre, madje edhe në farefis, që i shfrytëzojnë për prostituta?
Si shpjegohet që këta soj burrash bëjnë dasma me krushqi e unaza në vendin e tyre, dhe sapo mbërrijnë në Itali e Holandë, nuset i nxjerrin në rrugë për ti shfrytëzuar si prostituta? Këto realitete kontradiktore, mu kujtuan ndërsa prej dy ditësh ka shpërthyer kudo histeria e atdhedashurisë, për mbrotjejn e figurës së Skënderbeut, pasi Komuniteti Mysliman vendosi një ekran në sheshin “Skënderbej”, kur do të kryehej falja e Bajramit. Sa i takon ekranit, unë ndaj mendimin se ajo është cështje këndvështrimi. Nga diku shtatorja nuk shikohej plotësisht, e nga diku shikohej. Eshtë si puna e eksplisit, që në një continent shikohet i plotë, diku i pjesshëm e diku nuk shikohet fare. Unë mendoj se këto lloj histerish shpërthejnë sa herë preket diku sedra historike dhe atdhetare. Por a janë vertet kaq atedhetarë shqiptarët? A iu dhimbset vërtet historia dhe vendi i tyre kaq shumë sa bërtasin nëpër media e rrjetet sociale?
Unë them që jo! Ata që bërtasin për një ekran ne sheshin “Skënderbej”, përse nuk bërtitën kur Kalasë së Mamicës në Petrelë i ndërtuan mu në majë një mejhane që pjek qofte dhe pula?
Këta që bërtasin kaq shumë për historinë, përse nuk shqetësohen për shkatërrimin e trashëgimisë, poshtë e lart, nëpër qytete e male?
Këta që e duan kaq shumë Shqipërinë, përse nuk e shprehin dashurinë ndryshe, duke bërë më shumë për ta shpëtuar këtë vend nga shkatërrimi dhe rrënimi që po i bëhet cdo ditë në male, fusha, lumenj e dete?
Ka shumë mënyra për të treguar se sa shumë e doni këtë vend. Më e gabuara është të fusni përcarje fetare.