Akt vërtet prekës i një familje të varfër në fshatrat e Peqinit. Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ata kanë vendosur t’i bëjnë dhuratë një qingj fqinjit të tyre të pasur.
E. Tabaku me banim në Karthnek, ka dashur t’i shprehë mirënjohjen e thellë Xh. Tabakut, fqinjit të tij të pasur, pasi prej vitesh e kishte ndihmuar atë në të keq e në të mirë duke i dhënë gjithçka, veshmbathje, miell, para e kështu me radhë.
69-vjeçari nuk ka pasur asnjëherë mundësi që t’ia shpërblente fqinjit të tij ndihmën e dhënë. Por, sivjet ai kishte menduar që t’ia shpërblente mirësinë. Ndaj që kur ka lindur një nga delet e ka taksur qingjin për fqinjin e tij. E ka rritur me kujdes dhe ka pritur festën e Kurbanit. Kur duhen edhe pak ditë që të festohet kjo festë ai ka shkuar me qingjin në krah tek fqinji dhe e ka thirrur në oborr.
“Ta kam dhuruar për Kurban Bajram për gjithë të mirat që më ke bërë”, i ka thënë i moshuari burrit. Ky veprim e ka prekur shumë Xh. Tabakun, i cili i ka thënë se nuk ishte nevojtar, teksa deri më sot e pati ndihmuar me gjithë zemër familjen e mikut të tij, pasi në jetë kishte parë tek ai vlerat e një njeriu të drejtë e të ndershëm, megjithatë nuk ia ka prishur. E ka mbajtur qingjin dhe do ta bëjë kurban për festën e Bajramit.
Xh. Tabaku e ka ndarë me në këtë histori vëllazërore dhe mirënjohjeje, e cila në fakt përbën një mesazh me aq vlerë sot. Gjithashtu, ai tha se për vitin në vazhdim ka ndërmend që t’i ndërtojë një dhomë dinjitoze çiftit të moshuar duke ia kompletuar edhe brenda që të kalojnë sa më rehat vitet e pleqërisë.
/infoelbasani.al/