Nga Luan Rama
(Në vazhdë të impresioneve parisiane)
Sapo kisha zbarkuar në Paris dhe duke hedhur sytë pas mureve të ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, pashë se atje shkonte rruga “Avenue Victor Hugo”. Ishte kurioziteti që më shtyu të dija se përse e quanin Victor Hugo. Sigurisht, diçka duhej të lidhej me jetën e shkrimtarit të madh. Dhe vërtet kur dola nga ana e pasme e “Rue de la Pompe”, atje në “Avenue Victor Hugo”, u gjeta papritmas ballë ndërtesës ku kishte jetuar Victor Hugo vitet e fundit të jetës së tij.
Duke qëndruar atje për një kohë të gjatë, ballë nr. 130 risolla në mëndje foto të tij, pasazhe romanesh, “Shën Mëria e Parisit” apo “Viti 93”… gjithçka që kishim lexuar në universitet nga ky “liberator” i madh i popujve. Dhe padyshim ishte interesante dhe e veçantë, pasi as Baudelaire, as Rimbaud, as Balzac dhe të tjerë shkrimtarë e politikanë të mëdhenj të Francës, nuk kishin jetuar në një rrugë që të mbante emrin e tyre. Kjo ishte unikale. Dhe qindra letra që i shkruanin njerëzit e artit e të politikës, por dhe qytetarë të tjerë, mbi zarfat e dërguar ata i shkruanin: “Merr Victor Hugo, Avenue Victor Hugo, Paris!”…
Aty kishte vdekur gruaja e tij, Adele. Që në të gjallë të saj, duke parë dashurinë e madhe të Victor-it për Juliette Drouot, pas kthimit nga Anglia, Guernesey, ku Hugo ishte mërguar nga përndjekjet e monarkistëve, Adele më së fundi pranoi që ajo të vinte në apartamentin e tyre, në shtëpinë e re, në “Avenue Victor Hugo”. Dhe jo vetëm aq, por dhe të banonte me ta, të tre, si dashnorë të mëdhenj të kësaj toke… Ishte koha e paqes mes shpirtrave të dy grave. Adele nuk e urrente më, madje e ndjente se kështu, Victor-i i saj ishte akoma më i përzemërt me të. Victor kishte nevojë për të dyja, për nënën e famijëve të tij, me të cilën ndau shumë dashuri dhe dhimbje familjare dhe njëkohësisht me dashurinë e tij të madhe që i kushtoi aq shumë letra dashurie, ku bota ishte tjetër botë dhe dashuria tjetër dashuri.
Letërkëmbimi i Hugo-së me Juliette-n kishte qenë një nga letërkëmbimet më poetike që ekzistojnë në historitë e dashurive njerëzore. Vetëm ajo i kishte dërguar rreth njëzet mijë letra, deri në ditën kur do të vdiste. Shpesh e quante “I gjalli më sublim i kësaj toke që kurrë nuk kam parë ndonjëherë”, ndërsa ai e thërriste: “Engjëlli im i mjerë e i panjohur”. Dymijë letra të botuara kohët e fundit, ku përgjërohet pasioni dhe mendimi, ku flitet për ëndrrat dhe ëmbëlsinë e jetës, për vdekjen dhe ringjalljen, për tradhëtinë dhe besnikërinë e përjetshme dhe ku ajo i shkruante për “ballin e tij qiellor”, (“le front celeste”)… “Të dua si një grua e devotshme, e gatshme të japë jetën me shenjën më të vogël”… Hugo e thërrriste shkurtimisht “Zhuzhu”, ndërsa ajo “Toto”. Ajo ëndërronte të kishte një fëmijë me të. Atje, në “Rrugën e Parajsës”, krevati i Juliette-s ishte në një sfond të kuq dhe ngjyrë ari. Gjithçka ishte romancë, poezi, erotikë. “Qielli për ne është këtu, në këtë dhomë, në këtë shtrat”… Në netët e vona, nën hijen e një qiriu, atje në Place Royale, ku Victor shkruante romanet dhe poemat e tij, ai nuk harronte të shkruante dhe letrat e dashurisë: “Juliette…do të punoj për të dy! Pasioni për ty më djeg të gjithin. Dua të më duash! Dua të jesh e bukur! Dua që të jesh e lumtur… Po, ti do të jesh!”[1]… Kështu, Juliette përjetonte çdo hap të Hugo-së, çdo shkrim të tij, çdo roman që ai botonte. Madje jo rrallë ajo e ndihmonte në mbledhjen e të dhënave historike që atij i duheshin për një roman të caktuar. Ajo ishte e dashura e tij dhe bashkëpuntore njëkohësisht.
Në ditaret e Hugo-së, biografët kanë gjetur mjaft shënime të çuditshme, të koduara, iniciale apo emra femrash, me të cilat ai ka kaluar aventura të një jave apo disa ditëve: Alice Ozy ishte një aktore dhe kurtizane; Louise Colet ishte po një kurtizane që koleksiononte dashnorë në rradhët e poetëve e letrarëve; Esther Guimard ishte dashnorja e një pronari gazetash; Laure Desprès ishte gjithashtu e dashura e dukës De Praslin. Por në ditaret e tij janë dhe emra të panjohura si Poléma (në Rue Clichy), Theodorine, (në Passage Saulnier), Janette, (në Rue Delebelle), etj, shpirtra që janë tretur në botën anonime. Ishin “vajza të gëzimit”.
… Vitet kalonin dhe Juliette kërrusej dita-ditës. E sëmurë, ajo e kishte vështirë tashmë të priste miqtë e shumtë të të dashurit të saj gjenial që vinin të kalonin drekat apo darkat. Ajo thjesht i përshëndeste dhe tërhiqej duke u shtrirë në dhimbjet e mëdha të trupit, por jo të shpirtit. Jo rrallë Juliette i kërkonte të përmbahej pak me dëshirat e tij intime, pasi ajo e shikonte që herë pas here, gra të ndryshme hynin në apartamentin e tij. Por Victor ishte një njeri që gjithnjë e kishte dashur shtratin, delirin, dehjen, seksin, ekstazën… Ai vazhdonte të shënonte në fletoren e tij kryqe të vegjël në data kur ato vinin dhe largoheshin në mbrëmje si hije. Por Victor ishte një njeri bujar, në shtrat dhe në shpirt… ai dinte t’i falenderonte mikeshat e tij me fjalë poeti, me dhurata, para… 20 franga, shkruajnë biografët e tij. Por kjo nuk e cënonte aspak dashurinë e madhe mes Victor-it dhe Juliette-s.
Edhe pse e sëmurë, edhe pse gjithnjë e më shumë në shtrat, kur të tjerët iknin dhe ai përcillte musafirët e mbrëmjes, Victor ngjitej, i shkonte pranë, i puthte duart, sytë dhe i kujtonte ditët e paharruara të dashurisë së tyre. Dhe sytë e saj njomeshin, përloteshin dhe Victor puthte lotë, shijonte kripën e tyre, sikur të prekte me buzë ujët e Detit të Vdekur. Dhe atë e zinte gjumi, gjersa një ditë nuk do të zgjohej më… Më 1879, Victor-i i ishte lutur Juliette-s që ta hipte në një ballon dhe të ngjiteshin sëbashku në qiell. Ai kërkonte të dehej me retë. Dhe ata u nisën. Në qiell, në një tjetër botë. Ndoshta ishte frymëzuar nga Jules Verne. Ndoshta… Sidoqoftë ajo skenë duhet të ketë qënë diçka e magjishme, ku shpirti puqet me qiellin dhe ngjizja është sublime.
Më 27 shkurt, një kortezh i pafund kalonte para dritareve të shkrimtarit duke thirrur: “Vive Victor Hugo!” “Rroftë Republika!… Dritarja ishte e hapur dhe Victor i përshëndeste! Jashtë kishte filluar të binte dëborë… Por tashmë Juliette ishte tepër e sëmurë. Ajo ishte dobësuar dhe ishte bërë si kufomë. Megjithatë pena e shkrimtarit i këndonte gjithnjë shpirtit të saj, gjer në prag të vdekjes:
”Kur të them qofsh e bekuar – është qielli!
Kur të them fli e qetë – është toka!
Kur të them të dua – jam unë!”…”
Më 1 janar të vitit 1883, ata përkujtuan së bashku ditën e parë kur kishin vështruar njëri-tjetrin dhe ishin dashuruar. Victor-i i zgjati një fotografi të përbashkët, ku pas saj kishte shkruar: “50 vjet dashuri – kjo është martesa më e bukur!”
Më së fundit, po atë vit, zemra e saj pushoi. Sa shumë vdekje rreth tij : gruaja, vajza Leopoldine, djali Charles dhe tani e dashura e tij e përbotshme ! Sa shumë vdekje dhe vuajtje rreth tij ! Të nesërmen, Victor nuk mundi të shoqëronte karrocën me trupin e saj gjer në Saint-Mandé ku ajo kishte kërkuar të varrosej pranë vajzës së saj. Sipër, nga dritarja, ai vështronte atë karrocë që nisej bashkë e Juliette-n e tij. Vallë kur do të takoheshin? Përse kjo vdekje kështu? A nuk kishin thënë se ata do të shkonin sëbashku, kapur, dorë për dore, drejt errësirës së botës?… Dhe Victor shkruante rreth vdekjes, heshtjes së përbotshme dhe jetës efemere: “Ecim, rendim, ëndërrojmë, vuajmë, bijem, ngjitemi. C’është vallë ky ag? Eshtë varr?… Ku jam? Tek vdekja vetë?… Eja! Një erë e panjohur ju merr e ju flak në pragun e qiejve. Atëherë ju dridheni, dhe papritur dëgjojmë dikë në pafundësi që këndon…”
E megjithatë, Franca donte të dëgjonte gjithnjë zërin e tij, atje në Asamblenë Kombëtare. “Duartrokitje për gjeniun” – deklaronte kryetari Asamblesë, edhe pse shumica aty ishin kundër pikëpamjeve politike të tij. Ata nuk donin të bëhej siç kërkonte Hugo që të hiqej dënimi me vdekje. Ja pse fjala e tij buçiste në Parlament. Por kjo luftë e madhe qytetare e politike e lodhte plakun Victor Hugo. Dhe ai kthehej, nga kjo rrugë, “Avenue Victor Hugo”, ku qytetarët ndalonin ta përshëndesnin tribunin e tyre. Pastaj ai ngjiste shkallët ngadalë dhe prehej me nipin dhe mbesën e tij. Duhej të kujdesej për vajzën e tij të sëmurë. Por plagët që kishte marrë ishin të rënda dhe burgosja e dy djemve të tij që ai të mbyllte gojën ishte një goditje e madhe. Kështu tribuni i lirisë dhe demokracisë ndjente akoma më shumë peshën e viteve.
Një ditë, duke përshkuar rrugën e përditshme, Hugo kishte pikasur një karrocë që po çonte dy të dënuar drejt gijotinës, e cila që pas Revolucionit ishte ngritur në qëndër të qytetit. Kjo pamje e tronditi aq shumë sa ai filloi të shkruajë librin e tij të mëvonshëm Dita e fundit e një të dënuari me vdekje. Tregojnë se më vonë, një ditë tjetër, duke shkuar për në Akademinë Franceze, Victor Hugo pa dy xhandarë që kishin vënë përpara një burrë të lidhur dhe të zbehtë në fytyrë. Njerëzit thonin se kishte vjedhur bukë. Po atë natë ai shkruante: «Për mua ai njeri nuk ishte thjesht një njeri, por vetë spektri i mjerimit; ajo fantazmë e mjerimit e shfaqur në mënyrë të shpërfytyruar e të errët, ishte imazhi i një revolucioni të rënë në errësirë»… Ky do të ishte protagonisti i romanit Të mjerët, vetë Zhan Valzhani.
Që nga vdekja e Juliette-s ai nuk do të shkruante më. Vetëm kur ishte në pragun e vdekjes, ai do të shkruante vargjet e fundit: “Këtu është lufta e ditës dhe e natës!”… Pastaj ai thirri nipin dhe mbesën dhe u tha: “Të jeni të lumtur dhe të mendoni për mua!”… Fill pas kësaj, të afërmve ai u lexoi testamentin e tij: ”Dua që nga paratë e mia tu jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpirtjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat… Besoj te Zoti!”…[2]
Duke vështruar përballë drejt dritares së Hugosë, atje në Avenue Victor Hugo, m’u kujtua një çast ajo mbrëmje e trishtë kur Hugo nxitonte drejt shtëpisë së Balzac-ut, 300 metra më larg, buzë Senës. Balzac jetonte orët e fundit. Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë: “Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit.»…Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e djelë. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!”…
Vite kishin kaluar dhe ja tani, ishin hapat e fundit të Hugo-së në udhën pa kthim. Përse vallë kishte shkruar në librin Legjenda e shekujve “Të vdesësh s’do të thotë se ke mbaruar. Eshtë agu suprem…” ?
Viti 1885 ishte viti i fundit i jetës së tij. E megjithatë në fletoren e tij, atë janar, kryqe të tjerë do të shënoheshin gjatë atij muaji: 8 kryqe ka numuruar një nga biografët e tij në fletoren e famshme. Victor jetonte gjithnjë në ekstazën e tij mashkullore edhe pse tashmë kishte veshur roben e zisë. I dërmuar nga sëmundja e rëndë, tashmë ai nuk arrinte as të fliste. Komunikimi fundit me botën e të gjallëve bëhej përmes xhesteve. Në 22 maj të vitit 1885, kur Hugoi vdiq, gjithë Parisi ra në zi. Në dyert e mbyllura të dyqaneve shkruhej: ”Mbyllur për zi kombëtare!” Kambanat e katedrales Notre-Dame si ato të Madeleine apo Saint-Sulpice, binin me vaj. Arkivolin e vunë nën Harkun e Triumfit, dhe pastaj një milion banorë e përcollën gjer në portën e Panteonit, ku ndër të tjera dhe ato gra në trotuaret e Champs-Elysées, ish të dashurat e tij që tundnin duart dhe shamitë për të përshëndetur largimin e gjeniut.
Nuk di pse një ditë, duke imagjinuar ikjen e Hugo-së drejt Pantonit si dhe dashuritë e tij të shumta, shkrova një poezi të gjatë që e titullova “Ish të dashurat përcjellin Hugo-në në Parnteon” ku ndër të tjera shkruaja:
“… Ja tek shkon heroi i Francës”, thoshte populli
“Lavdia dhe britma jonë”, thonin këmbëzbathurit,
dashuria jonë e madhe shtonin ish të dashurat,
Ginette vraponte të shihte kortezhin për herë të fundit
Charlotte pëshpëriste ende nën zë
“Victor, i ëmbli im”,
Eleonore qëndronte pa folur si statujë,
«Ti më mësove të dua», pëshpëriti më së fundi ajo,
thuamë dhe njëherë si dikur,
«që jam jeta e jetës tënde»,
thuamë, folmë ëngjëlli im i kuq,
pëllumbi im i bardhë,
«Poeti im bujar po shkon symbyllur…» përshendeste Henrietta
e hirtë dhe e thinjur akoma më shumë për të dashurin e saj,
«Ti më shpëtove nga zija dhe dëshpërimi,
më hape dritaren e madhe të shoh botën,
më dhe kurajon të shkoj në rrugën që ngjitet”
“ndiq diellin” më the, “ndiq dritën”
«S’ka gjë, le të t’i vrasë sytë »…
Që nga ajo ditë, eshtrat e Hygosë janë atje, në Panteonin e lavdisë. Por lavdia më e madhe e tij janë padyshim veprat, shkrimet e tij, apeli i tij i lirisë dhe i qytetërimit, për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, kjo thirrje profetike, që do të realizohej një shekull e gjysmë më vonë.
Hygo kishte një ëndërr të madhe. Po, ai krijoi një vepër titanësh!… Një vepër, gjurmët e së cilës gjenden ngado. Jo shumë vite më parë, një prift shqiptar që mbajti meshë në katedralen “Notre-Dame” dhe që më fliste me entusiazëm për veprat e Hugo-it dhe mrekullinë e këtij qyteti, nuk e dinte se pikërisht ajo katedrale ku ai mbajti meshë, në vitet e Komunës së Parisit ishte bastisur, ishte plaçkitur e shkatërruar, dhe vite më pas, e lënë pas dore, ishte kthyer në një gërmadhë vajtuese. Ishte pikërisht Victor Hugo ai që ngriti zërin e tij të fuqishëm për ta shpëtuar këtë kryevepër të artit mesjetar. Kësaj katedraleje ai i kushtoi një përkushtim të veçantë dhe në ethet e betejës së tij për ta shpëtuar monumentin e kulturës franceze, ai shkroi romanin e famshëm të tij, të njohur nga të gjithë ne, Shën Mëria e Parisit… Notre-Dame de Paris!
[1] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.
[2] Victor Hugo, Ed. La Pléiade, Gallimard, Paris.