Shine Emine është 55 vjeçe. Gruaja po jeton se nuk vdes dot. Tre muaj më parë i ka vdekur djali 33-vjeçar, pasi vuajti nga një sëmundje e gjatë e pashërueshme. Me një tufë dokumentesh në dorë, ku ka të listuar borxhet që ka prej qivurit, dhe truallit ndaj bashkisë për varrimin e të birit, prej dokumenteve që ka bërë për pensionin e invaliditetit të ndërprerë, e moshuara po lan me lot dëshpërmi e dhimbjeje të gjitha rrugat që të çojnë në institucionet e Durrësit, ku përplaset e nuk gjen asnjë zgjidhje. Kërkesat e saj drithëruese, për të gjallë e për të vdekur, gruaja kërkon t’i japin pensionin e ndërprerë të shlyejë 500 mijë lekë të vjetër që ka borxh për qivurin e të birit.
“Nëse nuk ja shlyej borxhin ai nuk do të prehet i qetë as në varr, se në këtë jetë, dritë të bardhë nuk pa.” Në shtëpinë e saj, ku jetonte e vetmuar, në një dhomë me soletë lart e në vend të dritares një plastmas nuk kishte bukë dhe as kripë të ngjyente bukën në të. Nuk kishte asnjë orendi, përveç një divani ku flinte. As ujë për të pirë dhe as tualet. Shkonte te fqinjët edhe për nevojat më minimale. Dhe lotët e dëshpërimit nuk i ndahen asnjëherë fytyrës së saj. Emineja nuk ka as telefon. Banesa e saj gjendet në lagjen numër 16, pranë Rotondës së ish-Kënetës, 100 metra në drejtim verior.
Zonja Emine, pse ju drejtove medias për ndihmë?
Mbeta fillikat pas vdekjes së djalit. Mbase ju si gazetarë më ndihmoni të më japin Kempin se ma kanë ndërprerë. Ja i kam edhe dokumentet të gjitha. Unë jam invalide e lindur. E paaftë për të punuar. Isha në Kemp. Merrja pagesë invaliditeti. Por u bë një vit që më dërguan në Kempin epror në Tiranë, mjekët e Durrësit se më thanë që nuk e përfiton. Duhet të jenë ata që vendosin. Ata më dërguan përsëri në Durrës, unë vij të takoj doktorët këtu në spital, por asnjë nuk më thotë se çfarë duhet të bëj.
Zonjë, ju e keni përfituar më herët?
Unë kam lindur kështu me deformime në trup e nga këmbët. Kur isha e vogël mjekët më thanë se në moshën 16-vjeçare duhet të merrja kartelën e paaftësisë. Por më nxorën në punë ashtu siç isha në ndërrarjem komunale vëllezërit. Punova 13 vjet fshesë të qytetit, dhe nga puna më hoqën se isha e pafatë, nuk punoja dot.
Bëra dokumentet dhe përfitoja pagesë invaliditeti të lindur. Tani u bë më shmë se një vit që nuk e kam më. Më thonë nuk e përfitoj, por unë punë nuk bëj dot, as nuk kam si të punoj kështu si jam.
Me çfarë po jetoni?
Me asgjë, me çfarë më japin për të ngrënë komshinjtë. Dua të vdes, por nuk po vdes dot. Se pa bukë rri dy e tre ditë me radhë. Nuk vdes se kam edhe një amanet nga im bir. Ai më vdiq 33 vjeç nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme. Mjekimin ia kanë bërë në Durrës e në Tiranë deri sa vdiq. Kur vdiq nuk kisha as 2 mijë lekë të vjetër. Mora borxh qivurin dhe e varrosëm. Qivurin e mora 490 mijë më thanë. Edhe vendin ku e varrosën nuk e kam paguar. Më ka sjellë letra bashkia që jam debitore. Kur vdiq djali, mora edhe 150 mijë lekë borxh ushqime te një dyqan i lagjes, mi dha se i erdhi keq kur mësoi që më vdiq djali, i shpenzova për varrimin e atij. Mi dha se mendoi që do më dilte Kempi, e do ja ktheja pak nga pak.
Sa ishte i sëmurë 2 vjet që nuk ngrihej në këmbë në të gjithë dyqanet e lagjes kam marrë ushqime borxh dhe ua ktheja nga pak. Kam shumë borxhe në dyqane tani dhe askush nuk më jep më asgjë. Po prisja Kempin që të ushqehem, por Kempin nuk ma dhanë dhe kam mbetur pa asgjë.
Keni fëmijë të tjerë?
Kam edhe një djalë tjetër, edhe ai pa punë. Mbledh kanoçe që të ushqejë fëmijët e tij. Nuk kanë as ata. Unë i rrita e vetme fëmijët, të dy. Burri më vdiq kur djali i madh ishte 2 vjeç dhe me tjerin isha për të lindur.
A keni shkuar në bashki apo gjetkë, për të kërkuar ndihmë sociale-ekonomike?
Ku nuk kam shkuar, e iu kam thënë që dua të më ndihmojnë të laj borxhet e varrimit të djalit të vdekur. Asnjë nuk më ka ndihmuar. Më thonë nuk të takon gjë ty. Po kujt i takon kur nuk më takon mua që jam sakate?
Emine, në këtë dhomë po jetoni?
Po. Sot më dhanë komshinjtë një lavatriçe të prishur që ta shes për hekur e të nxjerr ndonjë lekë për bukë. Ujë nuk kam se duhen 35 mijë lekë tek Ujësjellësi të hap kontratë. Nuk i kam aq lekë asnjëherë. Një dritë ma kanë dhënë komshinjtë sa të shikoj. Kam vetëm një divan ku fle. Kisha edhe një divan ku flinte djali, por meqënëse e çova te komshiu se nuk e nxinte dera arkivolin të hynte, divanin e hodhën në plehra pas varrimit. As tualet nuk kam, shkoj te komshinjtë që mbush ndonjë bidon ujë, dhe po atje shkoj edhe në tualet. Se unë plakë jam.
Çfarë kërkese keni ju?
Të më japin Kempin të shlyej borxhet, nuk dua as për të ngrënë asgjë. Nuk i treten eshtrat në varr djalit në tabut të papaguar. As mua nuk më treten eshtrat po të vdes pa paguar borxhet që iu kam njerëzve. Këtë ju them atyre që kanë në dorë jetën time, të një plake, njeriu pa njeri, që nuk ka ku të shkojë e vdekja nuk e merr! Të merrte nënën e jo djalin e saj!
/durreslajm.al/