Sfidanti i vetëm i Bashës për kryetarin e PD-së flet për garën e padrejtë dhe një model të ri që ai pretendon të sjellë në PD, ku parashikohet edhe legalizimi i fraksioneve.
“Dua të sjell një model të ri në politikën shqiptare përmes një gare demokratike për kryetarin e PD-së”. Ky është qëllimi i kandidatit për kryetar të PD-së Eduard Selami. I ftuar në emisionin “Fol Me Mua Fol Me Ata” në RTSH, kandidati Selami shpalosi plaltformëne tij për bashkimin e PD-së duke theksuar nevojën për një model të ri organizimi në PD.
Ai ka shprehur shumë kritika për kandidatin e tij rival, Lulzim Basha, i cili mbajti postin e kryetarit të PD-së për katër vite. Sipas Selamit, Basha e humbi shancin e tij dhe ajo që do të ishte e drejtë ishte dorëheqja e tij për të mos hyrë në këtë garë.
Selami ka shumë rezerva për mënyrën se si po zhvillohet gara, për njëanshmërinë që sjell kandidati rival si “kryetar i ngrirë e jo një kandidat në kushte të barabarta me të, por Selami duket se është nisur në këtë garë me gjithë optimizmin e duhur për ta fituar atë. I pyetur se nga i buron ky optimizëm, referuar një gare që nuk është e lirë e demokratike, Selami thotë se është në këtë sipërmarrje të madhe për të sjellë modelin demokratik, tek i cili ai beson se demokratët do të afrohen.
Selami ndjehet afër me kritikat e kundërshtarëve të Bashës në PD, kur thotë se ata kanë të drejtë që konstestojnë kushtet në të cilat po zhvillohet kjo garë, por është kritike me mënyrën se si ata po qasen kësaj gare përmes akuzave e lëvizjeve që përçajnë e nuk e bashkojnë PD-në. Për Eduard Selamin, demokracia e brendshme në partitë politike duket se ka qënë një mission i pamundur deri tani dhe origjina e kësaj problematike është e hershme qysh në vitin 1994, kur ai tha se u largua padrejtësisht nga PD-ja, me urdhër të Berishës. Megjtihatë, salami ka shpresë se demokracia e brendëshme do ti sjellë PD-së madhështinë që ajo ka pasur në vitin 1992 kur i besuan shumica e shqiptarëve.
Një prej lëvizjeve që e bëjnë demokratike një parti është edhe lejimi i fraksioneve brenda saj. Për këtë Selami duket se është gati. Ai tha se në se zgjidhet kryetar i PD-së do të mirëpresë fraksionet brenda partisë, si një element që i japin më shumë demokraci.