Pas temperaturave të larta, mjekët dermatologë i kujtojnë qytetarët të bëjnë kujdes me ekspozimin në diell dhe të mbrojnë mirë lëkurën, pasi numri i të prekurve nga kanceri i lëkurës është në rritje.
Dermatologia Fida thekson se kur lëkura digjet disa herë në moshë të vogël ajo është e predispozuar për të bërë kancer të lëkurës.
“Temperaturat janë shumë të larta dhe kjo shoqërohet dhe me riskun për të pësuar djegie nga ekspozimi i shtuar në diell, veçanërisht në moshën pediatrike kur lëkura e tyre është shumë më e ndjeshme. Rekomandohet dhe u bëhet apel prindërve që të jenë të kujdesshëm me fëmijët, të ekspozohen vetëm në orët e para të mëngjesit dhe jo në drekë. Të ekspozohen të lyer me kremera me faktor të lartë mbrojtës, të përdorin kapele dhe syze dielli dhe për fëmijët e vegjël”, thotë Monika Fida, mjeke dermatologe.
Dermatologët i sugjerojnë prindërve që të mos frekuentojnë pishinat e mbipopulluara me fëmijët e tyre, pasi në to mund të marrin infeksione të ndryshme bakteriale dhe mykotike.