“Pavarësisht disa arritjeve në luftën kundër prodhimit të lëndëve narkotike, qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave”
Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane. Ky është konstatimi i raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike.
Sipas raportit të DASH, gjatë vitit 2015, autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014. Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë.
Raporti thekson se qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave dhe se me përjashtim të marijuanës, përdorimi i narkotikëve të tjerë nuk është i shpeshtë.
Raporti i referohet policisë shqiptare, sipas së cilës, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689,815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, sipas identifikimit nga ajri të autoriteteve italiane. Autoritet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë.
Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve.
Raporti vjetor i DASH për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave.