Miratohen rregullat e shitjes së pronave publike për qëllime turistike
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit, aktet nënligjore për dhënien në përdorim të pronave publike për qëllime turistike. Në vendimin e qeverisë thuhet se: “Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, bëhet me afat deri në 99 vjet. Në rastin e investitorëve me status “Investitor strategjik i veçantë”, sipas përcaktimeve në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, rast pas rasti. Kalimi i pronësisë së pasurive të paluajtshme shtetërore te investitori privat do të kushtëzohet me realizimin e plotë të investimit. Vendimi i qeverisë përcakton gjithashtu edhe tarifat e trojeve të përdorura për qëllime turistike. Në vendim thuhet “Pasuritë e paluajtshme shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilat vlera e propozuar e investimit kalon shumën 50 milionë euro, mund t’u jepen të tretëve me kontrata përdorimi, me tarifën simbolike 1 euro.
Deri më tani janë tre projekte të mëdha për investime në turizëm, një në bregun e jugut, një në Gjirin e Lalësit dhe një investim italian në Velipojë.