“Ngjarja e 21 Janarit 2011 ku u vranë 4 persona në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, mund të rihapet”.
Kështu ka vendosur Gjykata e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut, vendim ky i publikuar në Fletoren Zyrtare, e cila detyroi qeverinë që të dëmshpërblente familjarët e të ndjerit Ziver Veizi.
“Ankuesit u shprehën se sipas nenit 2 dhe 13 të Konventës, atyre iu ishte mohuar e drejta për të marrë informacion në dosjen e hetimit.
Në vijim, ata u ankuan edhe sipas nenit 6 të Konventës për një shkelje të së drejtës së tyre për të hyrë në gjykatë, duke iu referuar refuzimit të Gjykatës së Rrethit, Tiranë, për të shqyrtuar padinë e tyre civile për dëmet, padi e cila ishte paraqitur gjatë procedimeve kryesore penale kundër të bashkakuzuarve, për shkak se ata nuk kishin paguar tarifat gjyqësore të plota”, thuhet në vendim.
Qeveria, në deklaratën e saj në Gjykatën e Strasburgut, përveçse ka pranuar të dëmshpërblejë familjarët e Veizit, ka treguar gatishmëri për të rihapur çështjen dhe familjarët të jenë pjesë e saj, duke u njohur me të gjithë provat dhe detajet.