Nga Saimir Demi
Rregullat janë vendosur që dikush të marrë guximin për t’i thyer, kështu që është në natyrën e njeriut të ndjejë kënaqësi, duke shijuar impaktin që sjell prishja e humorit të të tjerëve. Ne kaluam me të kuqe në Izrael, gjë që për ata ishte e palejueshme, ndërsa për ne një entuziazëm ekstrem. Shëtitëm me uniformat tona në Tokën e Shenjtë (kjo lejohej), futëm pusullën tonë në Murin e Lotëve dhe pas një diktati 90 minutësh si në kohën e Saladinit, fituam dhunshëm në stadiumin e Haifas. Dhe i kishim të gjitha arsyet, që pikërisht hebrejtë, ata që gjyshërit tanë i mbrojtën duke sakrifikuar familjet e tyre në kohën e terrorit të madh, ne nipërit t’i bënim të vuanin. Ishin ata që ndikuan të mos e luanim ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”, duke e trajtuar Shkodrën si një qytet që duhej të shpopullohej, si të ishte pjesë e Bregut Perëndimor të lumit Jordan. Më pas e rehatuan skuadrën e tyre të futbollit në mes të Tiranës, por e detyruan t’i kryente seancat stërvitore në hollin e katit të fundit të një hoteli. Ata na kolonizuan Elbasanin dhe nën mbikqyrjen e oficerëve dhe ushtarëve të shumtë të Mosat, Zahavi dhe shokët e tij në fushë bënë gjithçka duke provokuar, për të arritur një fitore të shëmtuar. Kështu që nuk u kursyen të na nxirrnin disa nga shtëpia dhe kur ishim gjithnjë e më pak, na futën edhe një dru të mirë. Ndërsa këta tanët i kthyen reston, por me një fitore spektakolare dhe në mënyrën më sportive të mundëshme…, prandaj edhe na shijoi aq shumë.
Eshtë vërtetë për të ardhur keq, që skuadrën tonë të futbollit e thërresim shpesh, jo vetëm për të na argëtuar në kuadratin e blertë, por edhe për të na mbaruar ndonjë punë që na ka mbetur pezull prej qindra vjetësh. Fitorja në Izrael ishte shumë e rëndësishme, pasi së shpejti do të kemi një tjetër transfertë për të fituar, atë të Maqedonisë. Sa të kthehemi nga qejfi i plazhit dhe do të jemi të detyruar të vizitojmë fqinjët, të cilët kanë akumuluar aq shumë urrejtje për ne, saqë nuk e kanë më në kontroll as arsyen. Kundër Spanjës u luajt në stadiumin e ri të Shkupit, ku këtë vit është përzgjedhur nga UEFA, si impianti i Superkupës së kontinentit, ku do të ndeshet Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid. Ndërsa për ndeshjen tonë nuk ka “Filipi II”, por thonë se do të na duhet të udhëtojmë për në Strumicë, një qytet që e konsiderojnë etnikisht të pastër. Ja pra një arsye, pse duhet ta fitojmë edhe atë 90 minutësh, pasi si gjithmonë nuk kanë turp të na fyejnë publikisht, madje jo vetëm ne, por edhe një konumitet të gjerë shqiptarësh, të cilët jetojnë në atë anë të kufirit, të cilët janë atje prej kohëve, kur njerëzit u lodhën duke qenë majmunë dhe mbi të gjitha janë në numër pothuajse sa sllavo-maqedonët. Dhe kjo është një traditë mikpritjeje në shtetin që edhe emrin e ka vjedhur diku tjetër. Në dy raste më parë, fqinjët na kanë pritur në një tjetër qytet ultra-nacionalist, në Prilep. Atëherë, në stadiumin “Goce Delçev” u krijua një situatë shumë armiqësore, por nuk ishte më mirë as në rrugët e qytetit. Dhe e dini si quhej tifo-grupi që nuk na la gjë pa thënë dhe që kur flitej për shqiptarë ishin të gatshëm të ktheheshin në kanibalë? Majmunët. Ndërkohë që duket se e kishin merituar prej kohësh, emrin me të cilin kishin pagëzuar veten, pasi krijuan me një talent të paparë një atmosferë sa komike aq edhe të frikshme. Dukej sikur sapo kishin zbritur nga pemët, ndërkohë që ishin të ngjashëm me ne, nga pamja, nga ngjyra e lëkurës. Vetëm se ishin majmunë, ose ashtu ndjeheshin. Edhe kjo është një arsye më shumë që të thyejmë rregullat dhe të kalojmë me semafor të kuq edhe në Maqedoni… të kalojmë me flamur.