Nga Arben Llalla
Në listën e PD për Qarkun e Vlorës bie në sy që Vangjel Dule ndodhet në treshen e parë për t’u zgjedhur deputet dhe diku pas tij vjen Dashamir Tahiri, i cili është me origjinë nga Çamëria. Interesante është fakti që vetëm pak kohë më parë Dashamir Tahiri kërcënonte Vangjel Dulen se do ta kapte prej veshi dhe do t’i tregonte bukuritë e Çamërisë, shtëpitë e braktisura, varret e çamëve të masakruar nga Napoleon Zerva.
Në dy mandatet si deputet Dashamir Tahiri mbahet mend vetëm për këtë thënie të kapjes prej veshi.
Por, gjatë gjithë këtyre viteve jo vetëm që nuk e kapi prej veshi Dulen, por u shkoi pas si manar Vasil Bollanos dhe Vangjelit në Himarë.
Dashamir Tahiri çirret poshtë e lart se do të zgjidhë Çështjen Çame, por nuk po na e tregon se si do ta zgjidhë këtë çështje. Në dy mandatet si deputet i Çështjes Çame përse Dashi nuk nxorri në dritë asnjë ide, asnjë mendim për Çështjen Çame, por u mor vetëm me tenderat andej nga Kllogjeri?
Dashamir Tahiri do jetë në të njëjtën llogore me Dulen, Bollanon dhe Fredi Belerin e masakrës së Peshkëpisë të 1994.
Me këta pretendon Dashi të na zgjidhë Çështjen e Çamërisë?
Nëse do të ishte ndonjë minoritar grek, i cili njihet si proshqiptar, kjo renditje ku Dashi ndodhet pas “bithëve” të Dules nuk do kishte asnjë problem, asnjë reagim, sepse shumica e minoritarëve grekë janë proshqiptarë, njerëz që e duan vërtetë fqinjësinë e mirë greko-shqiptare. Por, Vangjel Dule njihet si antishqiptar, i cili me veprimet e tij si deputet i ka shërbyer vetëm zërave antishqiptarë për të aneksuar Jugun e Shqipërisë. Është vërtetuar që Vangjel Dule punon dhe propagandon kundër miqësisë greko-shqiptare, kundër integritetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nuk e dimë se çfarë e ka detyruar Dash Tahirin të vihet në shërbim të Vangjel Dules, teksa do të trokasë derë më derë të çamëve për t’ju kërkuar votat që Vangjel vllehu të zgjidhet deputet. Për ata që nuk e dinë, pasuria e Dashamir Tahirit është vlerësuar sipas deklarimeve të tij zyrtare rreth 15 milion euro, ndërsa Vangjel Dule nuk ka as 200 mijë euro. Çfarë e ka gjetur Dashamir Tahirin me pasuri 15 milion euro të bëhet çiraku i Vangjel Dules? Çfarë e ka gjetur Beun e Çamërisë, Dash Tahirin të punojnë çirak për hyzmeqarin nga Gumenica, vllehun Vangjel Dule?
Çfarë fshihet, pas 20 vizitave në vit që ka bërë Dashi në Greqi? Kanë gjë lidhje me sigurimin grek?
Duke vënë re se Dashamir Tahiri është vënë totalisht në shërbim të Vangjel Dules duke bërtitur poshtë e përpjetë që shqiptarët të votojnë Vangjelin e MAVI-it mendja na çon të mendojmë për skenarët më të errët kundër zgjidhjes paqësore të Çështjes Çame.
Nuk e dimë se me çfarë guximi Dashamir Tahiri do shkojë më 27 qershor në Kllogjer dhe të bëj homazhe tek varret e rreth 2.500 shqiptarëve të masakruar nga ushtria EDES, idealin e së cilës e vazhdon Vangjel Dule duke hedhur baltë mbi figurat kombëtare shqiptare.
E këshillojmë Dashamir Tahirin që të shkojë tek varret e të parëve të tij që janë masakruar dhe përzënë nga vatrat e tyre më 1944 dhe t’ju tregoj për këtë gjëmë. Shpresojmë që Dashi i ka dy pare mend dhe do tërhiqet nga damka e tradhtisë.
Një miku im nga Çamëria ka pas thënë: “Njeriu nuk ngopet me pasuri, fëmijë, dashuri, por nëse nuk ke bërë mirësi dhe nuk ke dhënë kontribut kombëtar për vendin tënd, atëherë këto nuk vlejnë asgjë.”