Në vitet e fundit, industria e dietave është mbizotëruar nga dieta 5:2, pra agjërimi i shpejtë për dy ditë çdo javë.
Por çfarë ndodh nëse sekreti i humbjes në peshë është më i thjeshtë? Këtë e shpjegon shkencëtarja australiane, Evelyn Parr. Sipas saj, në vend që të vdesim nga uria dy ditë, duhet të përfshihemi në “ushqimin në kohë të kufizuar”.
Por çfarë do të thtoë “ushqim në kohë të kufizuar?”
“Ajo që duhet të shikojmë është… jo domosdoshmërisht reduktimi i kalorive, por i kohës që konsumoni ushqimin. Teknikisht, ju mund të keni të njëjtin ushqim, por në një hapësirë kohore më të shkurtër”, ka thënë Parr për Huffington Post Australia.
Kjo përkthehet lehtësisht në ngrënien gjatë një periudhe prej tetë orësh, dhe më pas lëreni trupin të agjërojë për pjesën tjetër të natës.
Në vend që të hani mëngjes herët dhe të hani darkën rreth orës 10 apo 11 të natës, është më mirë për shëndetin tuaj të hani më herët darkën dhe më vonë mëngjesin, duke i dhënë mundësi trupit për një periudhë më të gjatë pushimi dhe rekuperimi teksa ju flini.
“Shkencëtarët kanë bërë majft punë tek kafshët përsa i përket reduktimit të kohës që duhet për të ngrënë, dhe kanë gjetur profile metabolizmi më të mira kur konsumon ushqim në një kohë të shkurtër”, thotë Parr.
Ajo shton se përderisa ka patur vetëm një studim të shkurtër tek njerëzit, shkencëtarët kanë gjetur se ata që hanë brenda 10-12 orëve janë më të shëndetshëm dhe kanë mundësi më shumë të humbin peshë se ata që hanë brenda një periudhe 12-14 orëshe.
Parr po vazhdon studimin për ata që duan të përfshihen në “ushqimin në kohë të kufizuar”, dhe rekomandon që të ushqehen mes orëve 10 të mëngjesit e 6 të pasdites.
Arsyeja kryesore e kësaj është që të ndaloni të hani ushqime të pashëndetshme në fund të ditës. “Gjëra si alkoli, soda, akullora dhe çokollata, që ne i konsumojmë në fund të ditës, reduktohen duke reduktuar kohën e ngrënies. Duket si një zakon i thjeshtë por që është më i arritshëm se dieta 5:2”, thotë Parr.