Qeveria e re që vjen nga marrëveshja Rama-Basha, është e treta e këtij lloji në 27 vite të tranzicionit në Shqipëri, pra një koalicion midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Janë qeveri që kanë lindur në periudha krizash të forta për Shqipërinë, si ajo e vitit 1991, fill pas rrëzimit të sistemit komunist që mbahet mend si qeveria Bufi-Pashko. E dyta është qeveria Fino e krizës së vitit 1997 dhe e treta është kjo qeveri që erdhi si pasojë e çadrës së opozitës. Qeveria aktuale është një farë mënyrë qeveri teknike me kryeministër politik dhe me pjesëmarrjen e tre forcave kryesore politike në vend: PS, PD dhe LSI. E ngjashme ka qenë edhe skemat e vitit 1991 dhe vitit 1997 kur kryeministra janë zgjedhur njerëz jo të rëndësishëm politik dhe jo shefat e partive. Por, të dy eksperimentet apo modelet që janë konkretizuar në të kaluarën ndryshojnë kryekëput me njëra tjetrën.
Edhe në vitin 1991, pra me Qeverinë e Stabilitetit të Ylli Bufit, ministrat ishin “njerëz teknikë”, ekspertë të nivelit të lartë dhe intelektualë të dorës së parë; po ashtu edhe në vitin 1997, ministrat e partive që morën pjesë në qeverinë e Bashkim Finos, Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, ishin teknikë formalisht, por ndryshe nga viti 1991 ata ishin të tillë vetëm me fjalë dhe nuk përbënin figura të larta. Këtë herë është pak në ndryshe, pasi nuk bëhet fjalë për 6 ministra që emërohen nga PD, por që propozohen nga PD dhe miratohen nga Rama.
Pra, PD nuk ka lirinë që të vendosë në postet kyçe duke nisur nga Ministria e Brendshme njerëzit e saj politikë, por është fakt se në selinë blu kanë nisur “ethet” e gjetjes së teknicienëve të çadrës, që për tre muaj u bënë agjitropët e të ashtuquajturës “Republikë e Re”.
Por, që të vijmë tek një konceptim sa më plotë, le të shikojmë më hollësi dinamikat e dy precedentëve historikë të bashkëqeverisjes PD-PS apo PS-PD.
Le ta fillojmë me vitin e largët 1991.
Qeveria Bufi-Pashko
Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet e 31 marsit 1991. Partia që kishte qeverisur për 45 vjet fitoi mbi 2/3 e Parlamentit. Por, PD-ja fitoi në qytetet kryesore të vendit duke siguruar një mbështetje më cilësore.
Kryeministër u emërua Fatos Nano, i cili menjëherë ngriti një kabinet, por që nuk u pranua nga opozita. Aq më shumë që kishte ndodhur 2 prilli në Shkodër, ku u vranë në kushte të pazbardhura ende katër mbështetës të opozitës gjatë një proteste që solli djegien e Komitetit të PPSH-së së Shkodrës.
Në Shqipëri nisën grevat që arritën kulmin me një grevë urie të minatorëve të Valiasit në Tiranë.
Vendi përfshihet në trazira dhe Presidenti i atëhershëm, Ramiz Alia pranon që të ndërtojë një qeveri të përbashkët PPSH-PD me kryeministër nga forca kryesore politike, me kushtin që pas një viti do të kishte zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, PPSH organizon kongresin e saj dhe aty shpallet themelimi i Partisë Socialiste. Fatos Nano zgjidhet kryetar i kësaj partie.
Në Qeverinë e Stabilitetit, Partia Demokratike dërgon Gramoz Pashkon, zv.kryeministër, Genc Rulin ministër i Financave, Emin Musliun ministër i Ndërtimit, Abdyl Xhaja ministër i Industrisë dhe Minierave, Perikli Teta ministër i Mbrojtjes, Preç Zogaj ministër i Kulturës, Agim Mero, ministër i Tregtisë së Brendshme dhe Turizmit.
Nuk pati vetëm ministra të PD-së dhe PS-së, por edhe të partive të tjera.
Ja lista e plotë e qeverisë së Stabilitetit.
Ylli Bufi – kryeministër (PS)
Gramoz Pashko – zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë (PD)
Zyhdi Pepa – zëvendëskryeministër (PS)
Muhamet Kapllani – ministër i Punëve të Jashtme (PS)
Teodor Kareco (17 qershor) – sekretar i përgjithshëm (PR)
Perikli Teta – ministër i Mbrotjes (PD)
Bajram Yzeiri – ministër i Rendit Publik (PS)
Shefqet Muçi – ministër i Drejtësisë (PSD)
Genc Ruli – ministër i Financave (PD)
Drini Mezini – ministër i Burimeve Minierave dhe Energjetike (PS)
Jordan Misja – ministër i Industrisë (PD)
Vilson Ahmeti – ministër i Ushqimit (PS)
Nexhmedin Dumani – ministër i Bujqësisë (PS)
Fatos Nano (Ylli Çabiri, 17 qershor 1991) – ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë (PS)
Agim Mero – ministër i Tregtisë së Brendëshme dhe Turizmit (PD)
Emin Musliu – ministër i Ndërtimit (PD)
Fatos Bitincka – ministër i Transporteve (PR)
Maqo Lakrori – ministër i Arsimit (PS)
Sabit Brokaj – ministër i Shëndetësisë (PS)
Preç Zogaj – ministër i i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (PD)
Leontjev Çuci – sekretar Shteti për Ekonominë (PS)
Resmi Osmani – sekretar Shteti për Bujqësinë (PA)
Paskal Milo – sekretar Shteti për arsimin (PSD)
Alfred Karamuço – kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit (PR)
Petrit Skënde – kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës.
Emrat që propozoi PD-ja por edhe partitë e tjera ishin përgjithësisht intelektualë të dorës së parë, që nuk para njiheshin si zelltarë partiakë. Madje dy prej tyre, Emin Musliu dhe Agim Mero ishin përballur edhe Enver Hoxhën në kohën e tmerrshme ku pakkush ose askush e bënte. Ata nuk ishin partiakë të mirëfilltë dhe siç ndodhi ata nuk u përfshinë fare në pushtetin e Partisë Demokratike kur ajo fitoi zgjedhjet më 22 mars të vitit 1992. Por pikërisht prej saj fituan popullaritet pasi punonin me përkushtim për të gjithë. Aksionet e tyre po rriteshin, Gramoz Pashko shikohej si njeriu i ri i opozitës që do të drejtonte qeverinë e re të PD-së.
Por në dhjetor të vitit 1991 Sali Berisha merr vendimin për t’u larguar nga Qeveria e Stabilitetit dhe i fshin të gjithë teknikët. Duke nisur nga Gramoz Pashko i pari. Emin Musliu shpërthen në mbledhjen e fundit të qeverisë: “Unë shoh gjak, shoh vrasje” Dhe ishte një lloj “profecie”. Vendi hyri në kaos deri në stabilizimin pas instalimit të qeverisë së Aleksandër Meksit në vitin 1992. U shkatërruan jo vetëm fabrika e uzina por edhe plantacione të mëdha me frutikulturë e agrume. Ndërkaq, kur vendi hyri në kaosin e vitit 1997, vetëm 6 vjet pas 1991-shit, u rrëzua qeveria “Meksi” dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha vendosi të negocojë me opozitën për një qeveri koalicioni ku kryeministër u vendos Bashkim Fino.
Por ndryshe nga qeveria e Ylli Bufit, në këtë kabinet u vendosën partiakë të mirëfilltë, njerëz të idhur ngushtë me lidershipin dhe pa një backround të mirëfillti ekspertize.
Ja lista e plotë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar
Bashkim Fino | Kryeministër | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Socialiste |
Belul Çela(Ali Kazazi) | Brendshëm | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Demokratike |
Shaqir Vukaj | Mbrojtjes | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Socialiste |
Arian Starova | Jashtëm | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Aleanca Social-Demokrate |
Arben Malaj | Financave | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Socialiste |
Spartak Ngjela | Drejtësisë | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Lëvizja e Legalitetit |
Eduard Ypi | Privatizimeve | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Demokratike |
Astrit Kalenja | Shëndetësisë dhe Mjedisit | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Balli Kombëtar |
Myqerem Tafaj | Arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Demokratike |
Luan Skuqi | Arsimit dhe Sportit | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Demokratike |
Haxhi Aliko | Ushqimit dhe bujqësisë | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Social-Demokrate |
Kastriot Shtylla | Mineraleve dhe burimeve energjitike | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Republikane |
Foto Dhuka | Industrisë, transportit dhe tregtisë | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | PBDNJ |
Ëngjëll Ndocaj | Kulturës, rinisë dhe gruas | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Demokristiane |
Elmaz Sherifi | Punës dhe çështjeve sociale | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Socialiste |
Vasillaq Spaho | Punëve publike, rregullimit të territorit dhe turizmit | 9 Mars | 1997 | 29 qershor | 1997 | Republikane |
Belul Çelo, ministëri i Brendshëm i qeverisë së Bashkim Finos ishte kryetar i Partisë Demokratike të degës së Fierit. Ai i afrua shumë me kryeministrin dhe me ambasadën amerikane. Ndaj dhe mori paralajmërimin më të fortë nga Sali Berisha. Çelo u arratis në mënyrë të mistershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikërisht pasi trokiti në ambasadë duke thënë se i është rrezikuar jeta, por më pas Berisha e zëvendësoi me të ndjerin Ali Kazazi, i cili kishte qenë kryetar i Rrethit të Shkodrës, por që njihej për lidhje të afërta me Sali Berishën. Ali Kazazi kreu edhe veprimin më të bujshëm të asaj kohe, ndaloi me forcat e policisë kryeministrin e tij Bashkim Fino që të shkonte në Shkodër.
Disa pjesëtarë të trupave speciale të policisë të veshura civilë dhe me maska ndaluan Finon në Bushat. Fino u kthye në Tiranë dhe që atëherë brenda qeverisë kishte përplasje dhe vendi rrezikoi luftën civile pikërisht kur Leka Zogu tentoi një grusht shteti në KQZ kur doli me njerëz të armatosur për të pushtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mes të Tiranës u zhvillua një luftë e vërtetë më shumë se njëorëshe ndërmjet trupave të ruajtjes së objekteve dhe protestuesve. Bashkim Fino akuzoi zyrtarë të Ministrisë së Brendshme që kanë tentuar të rrëzonin qeverinë. Ky ishte edhe episodi i fundëm i bashkëqeverisjes mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që për 20 vjet me radhë u përplasën egër me njëri tjetrin, por edhe arritën marrëveshje të rëndësishme që nuk çuan në bashkëqeverisje por në zgjidhje të mëdha institucionale.
Kështu në vitin 2002 Sali Berisha dhe Fatos Nano zgjodhën së bashku Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, dhe në vitin 2008 kur Sali Berisha dhe Edi Rama ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe Kodin Zgjedhor, duke forcuar kryeministrin dhe rritur rolin e kryetarit të partisë. Vendi u nda në 12 rajone që do të zgjidhnin deputetët në bazë të përqindjes së votave. Që atëherë harta elektorale e vendit ishte e lexuesshme dhe lufta zhvillohej për të marrë numrin e artë të 71 votave. Për atë numër u bë edhe gjithë kjo luftë me artileri të rëndë kundër Edi Ramës në tre muaj, por që ky i fundit manovroi fuqishëm duke futur Lulzim Bashën në një dhomë pa asnjë brenda dhe arriti një marrëveshje bashkëqeverisjeje që largoi të gjithë të vegjlit.
Me premisën për të ngritur një sistem krejt të ri politik. Por çfarë do të prodhojë kjo?! Në 2008-n kur firmosi me Berishën u penalizua Edi Rama, po sot?!
/tesheshi.com/