Mbi 1 milionë vende të lira pune dhe rreth 3 milionë vetë që kërkojnë punë në Gjermani.
DW citon se një disbalancë e tillë, lidhet me transformimin e tregut të punës.
Alexander Kubis, nga Instituti IAB tha se vendit nuk i mungojnë punëtorët e kualifikuar, por disa zona dhe sektorë ndeshen me probleme të mëdha për gjetjen e fuqisë punëtore.
Vende të lira pune ka me bollëk në sektorin e logjistikës dhe atë të magazinimit. Mungesë dhe nevojë vërehet gjithashtu në sektorin e ndërtimit, atë të shëndetësisë dhe të përkujdesjes mjekësore.
“Një sërë ndërmarrjesh sot shpenzojnë më tepër kohë sesa në vitin 2010 për të gjetur një person të përshtatshëm për vendin e punës”, tha Kubis.
Sipas tij, kriter kryesor i punësimit mbetet shkollimi dhe cilësia e tij, e kjo gjë shihet jo vetëm tek profesionet akademike, por edhe tek personat që përfundojnë shkollat profesionale.