Nga: Entela Resuli
Ai e njeh mirë Shqipërinë, e njeh që nga historia e deri te varietetet e ndryshme të verës që prodhohen në vendin tonë. Dr Johann Sattler është ambasadori i Austrisë në Shqipëri qysh prej një viti. Me të takohemi në Shkodër, qytet të cilin Austria e ka patur përzemër që në kohën e luftës, aty gjejmë gjurmë të ndërtimeve dhe kulturës austriake që ambasadori na i tregon me krenari. Për herë të parë në Shqipëri ai ka qenë në vitin 1997, viti jo fort i këndshëm për ta prezantuar vendin me një të huaj, por çuditërisht Sattler nuk do të hezitonte të pranonte rolin e ambasadorit 20 vite më vonë.
Ai është i qetë dhe shumë optimist. Na thotë se Shqipëria është një vend i veçantë, me bukuri natyrore që po të shfrytëzohen në formën e duhur sjellin vetëm të mira.
Dr.Sattler nuk ka aspak staturën e një diplomati hijerëndë. E vlerëson mikpritjen shqiptare dhe nga ana tjetër habitet me dramacitetin që krijojmë si popull, jo vetëm në politikë, por sipas tij, kjo gjë e bën jetën këtu më të papritur, por në të njëjtën kohë edhe më shumëngjyrëshe.
Pavarësisht temës jopolitike që kishte intervista, nuk kishte se si të shmangnim aktualitetin dhe situatën në vend. Ndaj në këtë intervistë për Dita-n, Dr. Johann Sattler shpreh mendimin e tij për reformën në drejtësi dhe çfarë mund të humbasë Shqipëria nëse opozita nuk futet në zgjedhje…
-Zoti Ambasador u bë një vit që jeni në Shqipëri. A mund të na tregoni si është të jetosh në këtë vend? Cilat ishin njohuritë dhe përshtypjet tuaja për Shqipërinë para se të fillonit këtë detyrë të re në Tiranë dhe a ishte e lehtë për Ju të pranonit detyrën e Ambasadorit Austriak në Shqipëri, apo hezituat disi në fillim?
Ky vit i parë këtu për mua kaloi aq shpejt, saqë me të vërtetë duket sikur kam ardhur vetëm një muaj më parë. Duke qenë se në Shqipëri për herë të parë kam punuar në vitin 1997 dhe duke qenë drejtori i Departamentit për Çështjet e Europës Jug-Lindore pranë Ministrisë së Jashtme të Austrisë për disa vite me radhë, nuk u ndjeva dhe aq i papërgatitur për detyrën si Ambasador. Sigurisht, realiteti gjithmonë të bën të përballesh me surpriza dhe vazhdoj akoma të mësoj çdo ditë diçka të re rreth Shqipërisë. Përsa i përket pranimit të kësaj detyre, nuk hezitova aspak. Shqipëria ishte destinacioni im i dëshiruar dhe kur mora lajmin se do të shërbeja si Ambasador i Austrisë në Tiranë për katër vitet e ardhshme, u ndjeva mjaft i nderuar dhe i gëzuar. I gëzuar dhe mirënjohës që do të kisha mundësinë të punoja në këtë vend të mrekullueshëm dhe interesant.
-Ne besojmë se çdo vend ka karakteristikat/tiparet e tij. Çfarë keni mësuar për shqiptarët në lidhje me temperamentin e tyre? A mund të na tregoni diçka veçanërisht interesante në lidhje me këtë? A mund të veçonit ndonjë nga karakteristikat, traditat apo zakonet e tyre që ju bëjnë veçanërisht përshtypje?
Së pari dëshiroj të përmend mikpritjen e madhe të shqiptarëve, e cila thjesht është fakt. Në Shqipëri fjala “mikpritje” nuk është një fjalë boshe, por një fjalë që është e mbushur me jetë dhe ndershmëri dhe që mbart ngjarje të papritura. Nëse më pyesni për një karakteristikë gazmore të Shqipërisë, më lejoni t´ju përmend atë që unë e quaj “paradoksin Lekë të vjetër – Lekë të rinj”. Është mjaft interesante të shikosh se si edhe brezi i ri, i lindur vite pas reformës monetare, akoma trashëgon këtë zakon. Më interesantja është se ky sistem nuk ka asnjë avantazh, por thjesht të çon në konfuzion. Mund të mos e kem kuptuar akoma të thënit dymijë Lekë një kartëmonedhë dyqind lekëshe, por di t´ju them se kjo ka qenë shkaktarja e mjaft bisedave sharmante dhe ndonjëherë konfuze për mua.
Dhe si “veçanti” të tretë më duhet të përmend dëshirën e shqiptarëve për dramë, jo vetëm në politikë, por në përgjithësi, si një fenomen që shoqëron shumë aspekte të jetës. Kjo gjë e bën jetën këtu më të papritur, por në të njëjtën kohë edhe më shumëngjyrëshe.
-Nëpërmjet mediave sociale kemi mësuar, se keni udhëtuar me të vërtetë shumë nëpër Shqipëri. Udhëtimi është një nga pasionet tuaja, apo Ju me të vërtetë e pëlqeni shumë Shqipërinë? Ju ka lënë mbresa diçka në veçanti, me sa keni udhëtuar deri tani dhe cila është gjëja më e interesante që ju pëlqen më shumë në lidhje me Shqipërinë?
Shqipëria është shumë më shumë se kryeqyteti i saj i zhvilluar Tirana dhe qendra e saj. Të arrish ta njohësh Shqipërinë në tërësinë e saj, përfshirë diversitetin dhe thelbin e saj, është e mundur vetëm duke njohur zona të ndryshme të saj, veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin, malet dhe bregdetet, qytetet dhe fshatrat. Jam mjaft i interesuar për Shqipërinë dhe për rajonin dhe përpiqem të udhëtoj sa më shumë të jetë e mundur. Së pari, sepse sinqerisht mund të them se e dua këtë vend dhe sepse për më tepër, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe të njohurit e njëri-tjetrit përbën edhe thelbin e profesionit tim. Këtu ka shumë vende të mrekullueshme dhe për mua është e pamundur të veçoj një prej tyre. Është e gjithë panorama, njerëzit dhe diversiteti i Shqipërisë ajo që më tërheq më shumë. Por nëse më shtyni të listoj më të mirat, atëherë Berati, Shkodra dhe Korça kryesojnë listën time kur bëhet fjalë për qytete. Ndërsa për sa i përket vendeve natyrore më impresionuese dhe ecjes malore, kryesueset e tre vendeve të para për mua do të ishin mali i Korabit, mali i Çikës, si dhe Syri i Kaltër.
-Zoti Ambasador, një nga këto ditë Ju vizituat qytetin e Shkodrës, në të cilin janë duke u realizuar disa projekte si rezultat i mbështetjes austriake. Keni ndonjë lidhje të veçantë me Shkodrën?
Së pari, Shkodra është thjesht një vend i mrekullueshëm dhe është gjithmonë një kënaqësi të shkosh atje. Për më tepër që ky qytet ka një histori dhe një lidhje të gjatë me Austrinë. Dhe kjo sigurisht reflektohet në faktin, se përveç Ambasadës në Tiranë, ne kemi edhe një Konsull Nderi në Shkodër, zotin Gjergj Liqejza, i cili po bën një punë të shkëlqyer duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në atë zonë. Marr shkas nga kjo për të thënë edhe se konsullata e parë austriake është hapur në Shkodër para 200 vitesh. Kështu nuk duhet të çuditeni nëse së shpejti më shikoni përsëri në atë qytet.
-Në disa momente kyçe të historisë sonë Austria ka qenë në anën e Shqipërisë. Përse? Cila është marrëdhënia mes dy vendeve? Cili është momenti më i rëndësishëm mes dy vendeve? Sa prezente është Austria në Shqipëri (dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve) por për më shumë, ekonomikisht edhe kulturalisht?
Austria ndër shekuj ka qenë një mike e ngushtë dhe aleate e Shqipërisë. Gjatë rrjedhës së historisë të dy vendet tona kanë pësuar ndryshime të mëdha gjatë shekullit të fundit. Megjithatë, përgjatë gjithë kësaj kohe dhe këtij tranzicioni të realiteteve politike, mes dy vendeve ka pasur gjithmonë një marrëdhënie miqësore me intensitet të ndryshëm. Austria dhe më pas Austro-Hungaria, ka qenë prezente në territorin shqiptar shumë kohë para se Shqipëria të shpallej shtet i pavarur dhe të gjithë i njohim faktet e mirëdokumentuara të viteve 1912/1913.
Duke iu kthyer së tashmes, prezenca e Austrisë, në aspektin ekonomik dhe kulturor, është mëse e dukshme. Në total janë më shumë se 100 kompani austriake që operojnë në vend dhe ky numër është në rritje. Austria vazhdon të mbetet një nga 5 investitorët e huaj kryesues në Shqipëri. Gjithashtu edhe në fushën e kulturës mund të përmend shumë aktivitete interesante, të cilat i kemi realizuar me partnerët tanë shqiptarë. Të gjithë dashamirësit e kulturës i ftojmë të presin 2018-ën, që është konceptuar si një vit kulturor i përbashkët mes Austrisë dhe Shqipërisë dhe ku do të organizohen edhe më shumë aktivitete, duke filluar nga koncertet dhe ekspozitat e deri tek leximet letrare dhe konferencat.
-Z. Ambasador, Shqipëria ka filluar procesin e reformës në drejtësi, por krijimi i komisionit të vetting-ut, i cili do të verifikojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar është bllokuar si pasojë e bojkotit parlamentar. Ç`mendoni për këtë proces dhe bojkotin parlamentar?
Reforma në drejtësi është dhe do të jetë fushëbeteja kyçe në Shqipëri në vitet në vijim. Besoj se nuk ka më kthim prapa, edhe pse po bëhen përpjekje për këtë. Mendoj se ju duhet të filloni të pastroni sektorin e drejtësisë, sepse çdo shoqëri ka nevojë për arbitër final dhe ky arbitër është drejtësia. Por mos më keqkuptoni: ka mjaft “mollë të kalbura” në sektorin e drejtësisë, por unë kam takuar edhe gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyer. Nuk është bardhë e zi. Por me këtë sistem që keni tani nuk mund të hyni në BE. Pastrimi politik do të vijë gradualisht me krijimin e institucioneve speciale të drejtësisë, si prokuroria speciale për korrupsionin, ashtu siç kemi parë edhe në vendet e tjera të rajonit. Do të duhet kohë dhe nuk pres mrekulli ndryshimesh brenda natës, por e rëndësishme është të ecet përpara. Dhe gjëja e dytë e rëndësishme për Shqipërinë është shoqëria civile, e cila duhet të jetë më fort e përfshirë në shtytjen drejt progresit.
-Në rast të mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, çfarë do të humbasë Shqipëria?
Shpresoj akoma se klasa politike në Shqipëri do të ketë maturinë për të gjetur mënyrat, që qytetarët shqiptarë të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar mbi bazën e një zgjedhjeje të gjerë mundësish politike.
Dr. Johann Sattler emërohet në prill 2016 Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri. Më parë ai ka drejtuar për tre vite Sektorin për Ballkanin Perëndimor pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme Austriake. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Dr. Sattler ka qenë drejtor ekzekutiv/publikues i grupit mediatik “WAZ” si dhe “AxelSpringer” në Moskë. Më parë ai ka mbajtur poste të ndryshme si p.sh. zëvendësdrejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm pranë Ministrisë Punëve të Jashtme Austriake, këshilltar për Çështjet politike pranë Ambasadës Austriake në Uashington si dhe anëtar kabineti i të dërguarit të posaçëm të BE-së për Europën Juglindore (për Paktin e Stabilitetit) në Bruksel. Dr. Johann Sattler ka studiuar Shkenca Politike dhe Gjuhë Sllave në Universitetet e Insbrukut/ Pragës dhe Moskës. Nga viti 1994 deri në vitin 1996 ka kryer studimet në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Në vitin 1996 ai është bërë pjesë e Shërbimit Diplomatik të Republikës së Austrisë. Në vitin 2008 ka marrë titullin Doktor pranë Universitetit të Vjenës./Dita