Presidenti Emmanuel Macron është betuar këtë të dielë në pallatin “Elysee”, çelësat e të cilit ia dorëzoi ish-presidenti Francais Hollande, mes masave tejet të përforcuara të sigurisë anembanë Parisit. Kandidati i pavarur Macron fitoi bindshëm në balotazhin e fundjavës së kaluar, përballë rivales së tij nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen.
Në fjalimin e tij pas ceremonisë së betimit, Presidenti Macron tha se do të rivendosë pozitat globale të Francës.
“Franca do të jetë e fuqishme vetëm nëse është e suksesshme dhe e begatë. Franca do të jetë një model për botën, vetëm nëse është shembull karakteristik”, deklaroi Macron. “Ne duhet t’u kthejmë francezëve shijen për të ardhmen dhe krenarinë për atë që francezët janë. E gjithë bota do t’i kushtojë vëmendje asaj që mendon e thotë Franca, sepse ne të gjithë së bashku do të shkojmë përtej frikës dhe ankthit. Së bashku do të jemi shembull i një populli që di të afirmojë vlerat dhe parimet e tyre, ato të demokracisë dhe republikës”.
Duke e hapur bisedën me termin “rilindje”, Presidenti i ri francez tha se bota ka nevojë për atë që Franca u ka mësuar gjithmonë. Për dekada të tëra, Franca ka dyshuar mbi vetveten. Por bota dhe Europa kanë nevojë më shumë se kurrë për Francën. Mandati im do t’u rikthejë francezëve ndërgjegjësimin për të besuar në atë që janë”.