Ka shkuar në 11 numri i deputetëve të opozitës të përjashtuar për shkak të zhvillimeve të seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës.
Fillimisht, janë përjashtuar gjashtë deputetë; Ismail Kurteshi, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Time Kadriaj, Bali Muharremaj dhe Faton Topalli.
Këta deputetë u përjashtuan si përgjegjës për hedhjen e parë të gazit lotsjellës dhe shkaktimit të trazirave që bënë të pamundur vijimin e seancës, ndërkohë që me rinisjen e seancës, pak pas orës 15:00, opozita ka hedhur sërish gaz në sallë.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit ka kërkuar sërish pushim dhe pak minuta më vonë Kuvendi ka dalë me një deklaratë ku njofton përjashtimin e pesë deputetëve të tjerë të opozitës.
“Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Visar Ymeri, Mytaher Haskuka dhe Salih Salihu të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, thuhet në njoftim.
Por pavarësisht këtij vendimi të kryesisë së Kuvendit, deputetët e opozitës refuzuan të dalin nga salla. Kjo ka detyruar kryetarin e Kuvendit që të kërkojë largimin me forcë të tyre, proces që po zhvillohet aktualisht nga forcat e sigurisë.
Tema