Pas mbledhjes së tryezës së thirrur nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryetarja e grupit të PDIU-së, Mesila Doda deklaroi se do të ishte e udhëz që në këtë mbledhje të ishte opozita dhe se përmirësimi i Kodit Zgjedhor është diçka urgjente.
Sipas saj, palët duhet të kenë minimumin e garancive të nevojshme.
“Do të ishte shumë më mirë që të ishte një tryezë e instaluar në Parlamentin e Shqipërisë për zgjidhjen e krizës dhe për të gjitha mundësitë që të marrin pjesë të gjitha forcat politike.
U diskutua për një paketë për rritjen e garancive dhe përmirësimit e infrastrukturës zgjedhore, për kontrollin e financave të partive politike, dekriminalizimin. Sigurisht do të ishte e udhës të ishte edhe PD në çështje kaq të rëndësishme.
Mendoj se përmirësimi i Kodit Zgjedhor është diçka urgjente. Nuk ka mundësi të vazhdojë sistemi stalinist ku njerëzit votojnë dhe dy partitë numërojnë. Palët të paktën duhet të kenë minimumin e garancisë që siç e thamë nuk jemi në nivelin e normalitetit.
Besoj se do të ketë edhe një tryezë tjetër dhe votat janë. Sigurisht nuk është një situatë normale kur opozita nuk është në zgjedhje. Ne jemi të gatshëm të votojmë gjithçka që përmirëson sistemin”, tha Doda.