Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim senatorin amerikan, John McCain, i cili po zhvillon një tur zyrtar në disa vende të Ballkanit.
Nishani theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributet e të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë”, tha Nishani.
Kreu i Shtetit shqiptar dhe Senatori McCain diskutuan edhe për situatën e Ballkanit, ku u vlerësua roli dhe kontributi i Shqipërisë për konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të përbashkët.