Peshëngritësi Daniel Godelli ka fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes në peshën 77 kg në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Split të Kroacisë.
Një rezultat i jashtëzakonshëm i shtangistit kuqezi, i cili vetëm në provën e tretë, të fundit arriti të bëjë mrekullinë, duke marrë medaljen e artë.
Godelli, pasi dështoi të ngrejë 156 kg në provën e parë dhe 158 kg në provën e dytë, tentoi 161 kg në provën e tretë, duke rrezikuar shumë. Por, shtangisti kuqezi nuk zhgënjeu, e ngrti lart shtangën duke arritur të triumfojë në stilin e shkëputjes.
Në këtë peshë garoi edhe shtangisti tjetër shqiptar Erkand Qerimaj, i cili në stilin e shkëputjes u rendit në vendin e gjashtë.