Problemet e varfërisë në Shqipëri kanë arritur deri në atë pikë sa të “pushtojnë” dhe mendjen e fëmijëve. Një fëmijë 12 vjeçar nga Burreli ka shkruar një letër sekrete për babagjyshin, por ajo çfarë kërkon ai, tregon sa e mjerë është gjendja në familjet shqiptare.
Xhemali shkruan: “Me thënë të drejtën, unë gjëja që jam mësuar të kërkoj është vetëm bukë, pra është hera e parë që kërkoj një dhuratë.”
Xhemali flet për një varfëri ekstreme që nuk njeh skaje. “Kur kërkoj bukë afrohem te dritarja e nënë Ijes, komshies time dhe i them nana Ije a ke ndonjë punë për të bërë, ajo e kupton dhe thotë: hajde Xhemal ha bukë.”
Nëna e ka braktisur në moshë shumë të vogël, duke e lënë vetëm me motrën dhe babain.
“Unë shkoj te nana Ije, jo se unë nuk kam nënë, kam nënë, por nuk e di se ku është”, shkruan fëmija 12 vjeçar në letrën e tij prekëse.